Ku jeni ju politikanë, gazetarë, opinionistë, mendimtarë dhe intelektualë e akademikë, dhe ju shkrimtarë e poetë? Dukuni ndonjëherë në kohën e duhur; jepni mendimin tuaj, vlerësimin dhe opinionin tuaj në mbështetje të individëve, kontributorëve, veprimtarëve vepërmirë dhe të atyre ngjarjeve historike që kanë bërë Epokë. Thoni të paktën ndonjë fjalë të mirë për ta.
Dukuni dhe mos u tregoni hipokritë, egoistë dhe xhelozë, por edhe kritikë djallëzorë karshi intelektualizmit, intelektualëve dhe mediave patriotike dhe të guximshme.
Ju, me djallëzinë dhe hipokrizinë tuaj intelektuale, me egoizmin dhe me inferioritetin, indiferentizmin dhe frikësimin tuaj, që është mjerim për ju, mos mendoni se do të ketë ndokush ndonjë respekt dhe as mos mendoni se brezat e ardhshëm do t’ju kujtojnë, se do t’ua lexojnë “veprat” letrare intelektuale tuaja boshe dhe të zbrazëta nga parimet dhe vlerat e larta të moralit, demokracisë dhe patriotizmit, pasi nuk ka se çfarë të mësojnë prej tyre, aq sa mund të mësojnë ndonjë gjë nga intelektualët, historianët dhe nga intelektualizmi servil i partishërisë komuniste të realizmit socialist.
Ku jeni ju akademikët e shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës, ju shërbesa të korruptuara, injorante dhe servile të oborreve politike të pushteteve, politikave dhe politikanëve, dhe vegla e mjete të mercenarizuara politikisht dhe të shitura për ndonjë interes personal të ulët. Ku është vlera juaj intelektuale në mbrojtje të vlerave të larta të luftëtarëve dhe të Luftës heroike të UÇK-së, dhe as nuk bëni ndonjë kritikë karshi korrupsionit, krimit, hajdutërisë dhe tradhtisë, përveçse ndonjë intelektual dhe media e rrallë që nuk është si juve.
Vlerat e larta kombëtare e demokratike të Luftës së UÇK-së përballë politikës së antivlerave
Durrës, 12 Nëntor 2020.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri kombëtare për mbrojtjen, lirinë dhe për çlirimin kombëtar të Kosovës kundër barbarisë dhe gjenocidit serb, gjenocid të cilin Serbia e ka ushtruar kundër shqiptarëve që prej 150 vitesh.
UÇK është Ushtria më e re në Europë dhe, në kohën e Luftës, ishte aleatja dhe këmbësoria e NATO-s në luftë kundër pushtuesit, kolonizatorit barbar dhe terrorizmit shtetëror serb.
Për herë të parë në historinë kombëtare shqiptare, UÇK-ja, me veprën e saj të jashtëzakonshme, arriti që problemi kombëtar shqiptar të ndërkombëtarizohej aq shumë sa që u mbajt një Konferencë ndërkombëtare për shqiptarët, ku në të kishte përfaqësues edhe shqiptarë; dhe së dyti, Luftën e Lavdishme të UÇK-së e mbështeti edhe formacioni më i madh ushtarak botëror, NATO, drejtuar nga SHBA.
Pra, lufta heroike e UÇK-së ishte luftë kombëtare e drejtë dhe çlirimtare, e njohur dhe e mbështetur edhe nga e gjithë bota e lirë dhe demokratike.
Por politika hipokrite, negative dhe jomorale ka gjithmonë tendencë që të manipulojë, mashtrojë e të spekulojë me interesat e popullit, me sakrificat e tij, si dhe të punojë pandershmërisht kundër demokracisë dhe patriotizmit real. Politika e cila guxon të veprojë kundër ligjit demokratik, ajo kap shtetin, bën korrupsionin, bën tradhtinë, vepron kundër ligjit dhe kundër interesave kombëtare, duke u bërë kështu kërcënim për shtetin dhe sovranitetin kombëtar. Kjo është ajo që konstatohet sot te politika dhe te politikanët shqiptarë, të cilët për moral, për virtyt dhe si “vlera” kanë vetëm pushtetin dhe interesin personal.
Dhe një politikë e tillë është politikë antivlerash.
Historia njerëzore është përpjekje e pandërprerë për lirinë, për shtetin, për të drejtën dhe për të vërtetën.
Këto janë vlerat më të mëdha për njerëzoren dhe për të cilat ka sakrifikuar aq shumë, me qindra e qindra vite, kombi shqiptar, sidomos djepi i shqiptarizmit, Kosova shqiptare.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës padyshim është vlerë e jashtëzakonshme kombëtare: si vlerë lirie, dinjiteti, imazhi dhe krenarie kombëtare, me të cilën brezat përjetësisht do të krenohen.
Askush, asnjë armik, asnjë tradhtar, asnjë shtet dhe asnjë politikë nuk do të mund ta eklipsojnë dhe as ta njollosin këtë vlerë të lartë kombëtare shqiptare.
Lufta e UÇK-së, prej saj shqiptarët e Kosovës fituan lirinë, pavarësinë dhe shtetin e tyre, dhe sado që të përpiqen armiqtë e shqiptarëve dhe shqipfolësit shpifës e tradhtarë, kurrë nuk do të mund të njollosin vlerat e Luftës së UÇK-së dhe as ta zhbëjnë veprën e madhe të saj, Shtetin e lirë e të pavarur të Kosovës.
Vlerat e Luftës së UÇK-së nuk kanë nevojë për ligj për t’i mbrojtur ato, pasi vlerat e asaj lufte janë vlerë kombëtare, janë vlerë gjithshqiptare, janë vetë liria, pavarësia dhe shteti i Kosovës. UÇK-ja është vlera më e madhe kombëtare shqiptare dhe, duke qenë e tillë, ajo është sulmuar nga Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre dje në kohë lufte, por edhe pas përfundimit të saj.
Jo vetëm kaq, por në fillimet e saj ajo është penguar edhe nga politika e Shtetit shqiptar të Shqipërisë dhe nga ajo e Kosovës, të cilët donin të ruanin autoritetin dhe pushtetin e tyre politik, pasi ata e shikonin edhe si alternativë politike kombëtare shumë të fuqishme në të ardhmen UÇK-në.
Prandaj ka edhe disa të atillë të cilët kanë bërë dëm shumë të madh kombëtar, pasi kanë kontribuar me dashje apo pa dashje edhe me akuza e me shpifje kundër UÇK-së.
Tani, kur po e shohin se çfarë është Gjykata Speciale, ndoshta edhe janë pishmanuar, por tashmë është vonë.
Vlerat e luftës i mbron Demokracia e vërtetë, sepse edhe vetë demokracia është liri dhe është edhe ligj e drejtësi.
Ata të cilët punojnë sot në Kosovë për demokracinë dhe për patriotizmin e vërtetë, ata mbrojnë edhe vlerat e vyera të kombit, ata mbrojnë edhe Luftën e UÇK-së, sepse liria e demokracia erdhi prej luftës së UÇK-së.
Askush nuk mund t’i përvetësojë vlerat e luftës dhe as ato të demokracisë, sepse ato janë dhe burojnë nga populli, i cili është i madh dhe i pasfidueshëm.
Demokraci do të thotë ligj e drejtësi, barazi për të gjithë para ligjit.
Askujt, asnjë politike apo politikani, dhe asnjë pushteti dhe asnjë pushtetari nuk i lejohet në demokraci që, për shkak edhe të ndonjë kontributi kombëtar, të keqpërdorë dhe as të shfrytëzojë e të spekulojë duke u justifikuar pas atij kontributi dhe që pastaj ai të ketë të drejtë të zullumojë, të vjedhë e të grabisë pushtet, prona e pasuri, e as që të bëjë padrejtësi, krim, tradhti e hajni.
Drejtësia është vlera më e madhe dhe, në emër të saj dhe për të, luftoi UÇK-ja, sepse popullit të Kosovës i ishte grabitur e drejta e lirisë njerëzore, asaj kombëtare, e drejta e Bashkimit Kombëtar dhe e drejta për të pasur shqiptarët e Kosovës shtetin e vet kombëtar të lirë e demokratik.
Drejtësia është edhe vlera më e madhe në Demokraci, si vlerë e cila, me anë të sundimit të ligjit demokratik, jep dhe mbron të drejtën njerëzore, shtetërore dhe kombëtare, atë të të qeverisurit nga populli.
Është fatkeqësi e madhe për një komb dhe për shtetin që demokracinë ta uzurpojnë dhe ta qeverisin injorantët, të padinjitetshmit, spekulantët, hipokritët, hajnat, mashtruesit dhe tradhtarët e keqbërësit politikë e publikë, sepse ata janë antivlera.
Janë antivlera ato të cilat bën dhe vepron politika e papërgjegjshme dhe e korruptuar.
Janë antivlera të gjithë ata individë të cilët e përdorin politikën si mjet për të realizuar interesat e tyre personale; janë antivlera të gjithë ata të cilët kanë bërë tradhtinë duke nënshkruar marrëveshje në dëm të interesave kombëtare; ata të cilët kanë edhe falur territore shqiptare për interes pushteti personal; janë antivlera ata të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe; ata të cilët janë treguar inferiorë dhe i janë nënshtruar interesave serbe; janë antivlera ata që hoqën parimin e reciprocitetit me Serbinë; ata të cilët nënshkruan marrëveshje për ta kthyer Serbinë në Kosovë dhe ata që janë pro Minishengenit.
Janë antivlera ato të cilat bën dhe vepron politika, parlamenti, qeveria, mediat dhe akademia shqiptare që nuk kanë dënuar akoma gjenocidin serb; janë antivlera ata të cilët ishin e janë në pushtet në Kosovë dhe në Shqipëri dhe nuk kërkuan dënimin e krimeve, vrasjeve, përdhunimeve, dëbimeve, torturimeve, djegieve, rrënimeve, shkatërrimeve, që nuk dënuan pastrimin etnik të ushtruar nga gjenocidi serb, si dhe as nuk kërkuan nga Serbia dëmshpërblimin për krimet dhe dëmet që ajo u ka shkaktuar shqiptarëve dhe Kosovës.
Janë antivlera kombëtare ata të cilët ishin dakord për ndarjen e copëtimin e Kosovës, si dhe ata që nënshkruajnë marrëveshje për detin në dëm të Shqipërisë. Janë antivlera ata prej të cilëve Shqipëria e Kosova janë kampionë në korrupsion, trafik droge e vjedhje, e që kanë penguar e bllokuar shtetin ligjor dhe integrimin. Janë antivlera ata prej të cilëve shqiptarëve u imponohet eksodi, largimi prej atdheut, dhe për këtë duhet dënuar politika shqiptare, prej së cilës po bëhet një “pastrim” e boshatisje të trojeve shqiptare.
UÇK është vlerë, moral, patriotizëm; është sakrifica dhe gjaku për shqiptarizëm e liri kombëtare. UÇK është aleatja e SHBA dhe NATO-s, është faktori i brendshëm luftarak që iu kundërvu me guxim dhe heroizëm makinerisë dhe barbarisë së kolonizatorit serb, është faktori kryesor shqiptar që, së bashku me SHBA-të në krye të NATO-s, sollën pavarësinë e Kosovës, dhe prandaj Serbia e urren, por edhe e ka frikë edhe sot UÇK-në.
Çdo politikë e qeverisje e cila nuk vlerëson dhe nuk është mirënjohëse ndaj vlerave të larta patriotike, kombëtare, morale dhe ndaj sakrificave të UÇK-së, si dhe ndaj aleatit të madh të shqiptarëve, SHBA-ve, asaj politike nuk i duhet besuar pushteti. Këtë parim duhet ta kenë gjithmonë në vëmendje demokracia patriotike kosovare. Shqiptarët duhet të zgjedhin dhe të votojnë patriotët së pari.