Arbi Pupovci fiton pikë Olimpike në garën e Kollashinit, i afrohet normës Olimpike Beijing 2022

Skijim

Arbi Pupovci fiton pikë Olimpike në garën e Kollashinit, i afrohet normës Olimpike Beijing 2022

Më: 14 janar 2021 Në ora: 21:34
Arbi Pupovci

Skitari ynë, Arbi Pupovci, ka përfunduar me sukses misionin e tretë drejt arritjes së pikëve të nevojshme Olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore (LOD) Pekin 2022.

Pupovci ka garuar dje dhe sot në disiplinën e sllallomit në Kollashin të Malit të Zi, garë kjo e Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS).

Derisa të mërkurën është diskualifikuar, Arbi sot ka dalë i 15-ti nga 40 garues, ku 13 nuk arritën t’i përfundojnë të dyja lëshimet. Gjithësej shtete pjesëmarrëse janë 13.

Pupovci pati kohën 1 minutë, 49 sekonda e 92 të qindtat nga të dyja lëshimet. Sipas trajnerit të tij, Agim Pupovci, me renditjen e sotme, Arbi ka kompletuar edhe garën e tretë me pikë të nevojshme Olimpike.

Për ta arritur normën Olimpike në këtë disiplinë, Arbit i duhen edhe dy rezultate përafërsisht të ngjashme nga garat e ardhshme të sllallomit.

Muajin e kaluar, Arbi rezultate të mira arriti në Palandoken të Turqisë. Ai është bursist Olimpik i KOK-ut për LOD Pekin 2022.

Në Kollashin po marrin pjesë edhe Drin Kokaj, Kiana Kryeziu dhe

Arba Pupovci. Kokaj, 17-vjeçar sot nuk ka arritur të përfundojë lëshimin e dytë, ndërsa një ditë më parë pati paraqitje të mirë, duke zënë vendin e 26-të nga 38 garues.

Paraqitje të mirë pati edhe 16-vjeçarja, Kiana Kryeziu, e cila dje doli e nënta nga 15 garuese, kurse 16-vjeçarja, Arba Pupovci e 12-ta.

Ndërkohë, në garën e sotme, Arba doli e shtata, ndërsa Kiana u diskualifikua, sikurse edhe gjashtë garuese tjera. Nesër dhe pasnesër garat zhvillohen në disiplinën e sllallomit të madh.

Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm në Pekin të Kinës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat