Kryeziu, 16-vjeçarja që synon të fitojë normën olimpike “Pekini 2022”

Skijim

Kryeziu, 16-vjeçarja që synon të fitojë normën olimpike “Pekini 2022”

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 14:01
Kryeziu, 16-vjeçarja që synon të fitojë normën olimpike “Pekini 2022”

Kiana Kryeziu është vetëm 16-vjeçare, por që synon të hyjë në histori të sportit të Kosovës. Ajo mund të bëhet femra e parë që përfaqëson vendin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore.

Një gjë e tillë mund të ndodh në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, kur në kryeqytetin e Kinës, mbahen Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.

Për të realizuar ëndrrën, asaj i duhet të paktën një normë olimpike në njërën nga pesë disiplinat e skijimit alpin. Ajo normën po e ndjek në disiplinat taktike, sllallom dhe sllallom të madh.

“Në sezonin e kaluar e kam fituar një rezultat të nevojshëm në sllallom, kurse tani më duhen edhe katër të tillë. Besoj se do t’ia dalë të fitoj normën”, thotë Kryeziu për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Ajo kishte fituar medaljen e argjendtë në disiplinën e sllallomit në garën e Kolashinit, të mbajtur në mars të këtij viti. Kiana ishte bërë skitarja e parë femër nga Kosova që fiton medalje në një garë ndërkombëtare, të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë (FIS).

“Synimi im është të bëhem femra e parë që fiton normën olimpike për sportet dimërore në historinë e sportit tonë. Norma olimpike është synimi im kryesor dhe për të jam duke punuar vazhdimisht”, shton ajo.

Garat për skitarët tanë nisin në nëntor, ndërsa kualifikimet zgjasin deri më 10 janar 2022.

Kiana ka nisur të merret me skijim prej moshës 3-vjeçare, si pasion familjar, ndërsa profesionalisht prej moshës 11.

“Unë jam rritur duke bërë ski. Është një sport që e kam pasion thellë në zemër”.

Idhull të saj janë Petra Vlhova, Alice Robinson dhe Lara Gut Behrami, me të cilat mund të jetë në gara gjatë LOD Pekini 2022.

Ajo është Shpresë Olimpike 2021, me ç’rast nga KOK-u merr nga 150 euro në muaj.

Kiana bashkë me skitarët tjerë, Arbi Pupovci e Drin Kokaj, ndodhen në Hintertux të Austrisë, ku po përgatiten bashkë me trajnerin, Agim Pupovci. Atyre do t’iu bashkohet edhe skitari tjetër, Albin Tahiri.

LOD Pekini 2022 mbahen prej 4-20 shkurt të vitit të ardhshëm.

Për ekipin olimpik të Kosovës do të jenë Lojërat e dyta Olimpike, pas debutimit në PyeongChang 2018 me Albin Tahirin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat