Në moshën 58 - vjeçare u nda nga jeta sportistja e njohur

Skijim

Në moshën 58 - vjeçare u nda nga jeta sportistja e njohur

Nga: K.G. Më: 1 shkurt 2026 Në ora: 18:59
Natasha Bokal

Sporti slloven ka humbur një nga figurat e saja më të mëdha. Natasha Bokal, ish-skiatorja e njohur e disiplinës së sllallomit, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin.

Federata Sllovene e Skive e konfirmoi lajmin e hidhur përmes një njoftimi zyrtar, duke e cilësuar Bokal si “një nga skiatoret më të suksesshme dhe më të rëndësishme në historinë e skive sllovene”.

Kulmi i karrierës së saj erdhi në vitin 1991, kur në Kampionatin Botëror të mbajtur në Saalbach të Austrisë fitoi medaljen e argjendtë në sllallom, duke garuar atëherë për ish Jugosllavinë.

Para saj u rendit vetëm zvicerania legjendare Vreni Schneider. Një vit më vonë, pas pavarësimit të Sllovenisë, Bokal hyri në histori si skiatorja e parë femër që përfaqësoi vendin në Lojërat Olimpike Dimërore, në vitin 1992.

Gjatë karrierës së saj, Natasha Bokal mori pjesë në 135 gara të Kupës së Botës, duke u ngjitur tri herë në podium. Fitoren e vetme e arriti në Kranjska Gora, para publikut vendas.

Megjithatë, karriera e saj u shoqërua nga probleme të shumta shëndetësore: ajo iu nënshtrua plot 12 operacioneve në gju, çka ndikoi ndjeshëm në vazhdimësinë e garimit. Bokal i dha fund karrierës sportive në vitin 2003.

Sllovenia sot e kujton Natasha Bokal jo vetëm si një kampione, por edhe si një simbol dhe përkushtimi ndaj sportit.

“"Me trishtim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Natasha Bokal, një nga garueset më të suksesshme dhe më të njohura sllovene të skijimit dhe një figurë e rëndësishme në historinë e skijimit slloven", shkroi federata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat