Vonn ende beson

Skijim

Vonn ende beson

Më: 3 shkurt 2026 Në ora: 19:41
Lindsey Vonn

Ylli amerikan i skive alpine, Lindsey Vonn, ka deklaruar se beson fuqishëm se do të jetë në gjendje të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina, pavarësisht se pësoi një dëmtim serioz në gju gjatë garës së Kupës së Botës në lëshim në Crans Montana, të premten.

Në një konferencë për media të mbajtur në Cortina d’Ampezzo, Vonn konfirmoi se ka pësuar këputje të plotë të ligamentit të kryqëzuar në gjurin e majtë.

“E këputa plotësisht ligamentin e kryqëzuar të gjurit të majtë të premten në Crans Montana.

Sot kam skijuar dhe ndihem stabile dhe e fortë. Gjuri nuk është i ënjtur dhe besoj se me ndihmën e mbajtëses do të jem në gjendje të garoj të dielën,” u shpreh Vonn.

Të dielën, ajo pritet të marrë pjesë në garën e lëshimit olimpik në veri të Italisë. Lojërat Olimpike do të nisin zyrtarisht të premten dhe do të përfundojnë më 22 shkurt, ndërsa stërvitja e parë zyrtare olimpike është planifikuar për të enjten.

“Do të bëj gjithçka për të qenë në start”, - tha Vonn, e cila gjatë karrierës së saj është përballur me shumë dëmtime.

“Nuk po qaj, e mbaj kokën lart.

Jam një javë larg diçkaje që dukej e pamundur. Kjo është qershia mbi tortë dhe një mundësi e jashtëzakonshme për ta mbyllur karrierën.

Nuk dua të kem pendesa. Jam këtu dhe do të vazhdoj të provoj për aq kohë sa të mundem”

Vonn, tashmë 41-vjeçare, u rikthye në Kupën e Botës sezonin e kaluar pas një pauze pesëvjeçare, duke garuar pa probleme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat