Legjenda amerikane e skive alpine, Lindsey Vonn, ka pësuar një rrëzim të rëndë gjatë garës në disiplinën e lëshimit në Lojërat Olimpike Dimërore që po mbahen në Cortina d’Ampezzo në Itali.
41-vjeçarja humbi kontrollin në pjesën e sipërme të pistës dhe u detyrua ta ndërpresë garën, në një moment që shumëkush po e sheh si fundin e mundshëm të karrierës së saj.
Vonn kishte hyrë në këtë garë me një lëndim të mëparshëm serioz, duke vendosur të konkurrojë pavarësisht ligamenteve të këputura në gjurin e majtë, një vendim që mbante rrezik të madh.
Pas rrëzimit, amerikania mbeti e shtrirë në dëborë për disa çaste. Britmat e saj nga dhimbja u dëgjuan drejtpërdrejt në transmetim televiziv, duke alarmuar menjëherë publikun dhe komentatorët për seriozitetin e situatës.