Yll Mahalla shkëlqen, fiton medaljen e argjendtë në Kupën e Botës 

Sporti

Yll Mahalla shkëlqen, fiton medaljen e argjendtë në Kupën e Botës 

Nga: Kemajl Goca Më: 30 qershor 2022 Në ora: 16:42
Halil Mahalla, majtas, Ylli Mahalla në mes dhe Fehmi Mahalla, djathtas

Edhe një sukses i madh për sportin e Kosovës, karateisti i talentuar Yll Mahalla, është fitues i medaljes së argjendtë në Kupën e Botës, që po mbahet në Poreç të Kroacisë.

Ylli nuk ka më shumë se 10 vjet, shkëlqeu në kategorinë - 30 kg (kategoria pionierëve).

Djaloshi i kombëtares së Kosovës, anëtar i KA Kastriotit të Ferizajt, nuk pati fat në finale duke pësuar humbje me rezultat 3:1 nga garuesi gjerman. 

Image

Ylli shkëlqeu në këtë ngjarje të madhe, duke treguar se po shkon hapave të axhallarëve të tij, po ashtu të Fehmi Mahallës, kampion i Evropës në vitin 2004 në Tenerife të Spanjës.

Halil Mahalla, kryetar njëherësh edhe trajner i KK Kastriotit, tha se është një sukses i madh. 

“Ylli po shkon hapave të traditës familjare, po i ndjek hapat e kampionit Fehmi Mahalla, po ashtu është trajner. Është bërë punë e madhe nga kryetrajneri Gani Mahalla, trajnerët Fehmi Mahalla, Nebih Mahalla dhe unë si trajner.

Shpresoj se në një të ardhme do të jetë kampionë në të gjitha arenat. Besoj e shpresoj se kjo do të arrihet me përgatitje që do t’i bëjmë me kampionin e madhe evropian, Fehmiun, së bashku me të lartcekurit. Falënderoj edhe shefin e karatesë së klubit dhe të gjithë Ferizajt. prof. Fahri Mahalla, për angazhimin dhe mbështetjen ndaj klubit. 

Nuk do të ndalemi, tani radhën e ka Fatjon Mahalla, Milaim Nexhipi  dhe Diellza Mahalla, shpresojmë të sjellin suksese nga Poreçi. 

Ylli nuk pati fat në finale me gjermanin. Ylli është edhe nënkampion i Grand Prix në Poreç”, thotë Halil Mahalla për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Legjenda e karatesë, Fehmi Mahalla, është i lumtur për suksesin e Yllit. 

“Është një sukses i madh. Një rritje çdo vit e Yllit, çdo vit janë garuesit më të mirë.

Jam i kënaqur me rezultatin, edhe pres më shumë. Shihet që Ylli ka kapacitet, por nuk i priu fati, pak ka qenë edhe i emocionuar.  Kjo është pjesë e sportit”, tha Fehmi Mahalla. 

Më tej tha se do të punojnë me përkushtim dhe çdo humbje është një mësim i mirë.

“Prej kësaj humbje në finale mëson Ylli dhe do të përgatitet për sfida tjera të mëdha. Vendi i dytë është sukses i madh”, thotë Fehmiu.

Ylli është sikur në qiellin  e shtatë për këtë sukses.

“Jam i lumtur për këtë medalje, ia dedikoj familjes. Një medalje që më bën shumë krenar,  një medalje për shtetin tim, Kosovën”, thotë Ylli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat