Shpërthen notari: Zero dollarë për rekord botëror

Sporti

Shpërthen notari: Zero dollarë për rekord botëror

Më: 26 mars 2026 Në ora: 17:12
Cameron McEvoy

Cameron McEvoy, rekordmeni i ri botëror në 50 metra stil i lirë, nuk i ka kursyer kritikat kur ka folur për shpërblimin ekonomik që merr një sportist që vendos rekord sipas rregullave antidoping, krahasuar me ata që do të garojnë të dopuar në “Enhanced Games” (Lojërat e Përmirësuara).Notari australian regjistroi kohën 20.88 sekonda në “Open”-in e Kinës, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 20.91 sekondash të vendosur nga Cesar Cielo në vitin 2009, në fundin e epokës së kostumeve prej poliuretani.

“Është çmenduri të mendosh se për të arritur një rekord botëror pa kostum special dhe pa përdorur substanca dopingu, si sportist i pastër, shpërblimi është 0 dollarë.

Ndërsa nëse do të zgjidhja një rrugë më të lehtë… jo vetëm që do të merrja një bonus prej 1 milion dollarësh, por edhe një çmim prej 250 mijë dollarësh për vendin e parë, që do t’i shtohej rekordit botëror,” u shpreh McEvoy.

Ky event, i hapur për sportistë që përdorin doping, përveç pagesës fikse për pjesëmarrësit, ofron shpërblime të mëdha në bazë të objektivave të arritura. “Kontrasti është i madh, pasi po flasim për pothuajse 2 milionë dollarë kundrejt 0 dollarëve. Dhe opsioni me 0 dollarë është shumë më i vështirë për t’u arritur.

Është vërtet qesharake. Është për të ardhur keq që vlera që i jepet një arritjeje të tillë, të paktën nga kjo perspektivë, është sikur nuk vlen asgjë”, shtoi ai.

World Aquatics” jep shpërblime për rekordet botërore të vendosura në garat që organizon, të cilat variojnë nga 10,000 dollarë (Kupa e Botës) deri në 30,000 dollarë (Kampionati Botëror). “Open”-i i Kinës, duke mos qenë nën juridiksionin e kësaj organizate, nuk ofronte shpërblime për këtë rekord.

Me kohën 20.88 sekonda, McEvoy përmirësoi edhe rezultatin e arritur nga Kristian Gkolomeev, i cili në maj të vitit 2025 kishte notuar 20.89 sekonda për të promovuar Lojërat e Përmirësuara, duke përdorur substanca dhe kostum të ndaluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat