Përfundon spektakli i padelit “FIP Bronze Prishtina”

Sporti

Përfundon spektakli i padelit “FIP Bronze Prishtina”

Më: 11 maj 2026 Në ora: 09:26
“FIP Bronze Prishtina”

Përfundon spektakli i padelitl “FIP Bronze Prishtina”

Turneu ndërkombëtar "FIP Bronze Prishtina", i mbajtur në qendrën më të re sportive "Terra Padel Society", ka kurorëzuar kampionët e tij në një atmosferë emocionuese.

Në kategorinë e femrave, dyshja Viktoria Kurz dhe Natividad Lopez Diaz treguan një nivel të lartë loje, duke rrëmbyer titullin pas një rrugëtimi mjaft sfidues.

Pas fitores, kampionet u shprehën të lumtura, por theksuan konkurrencën e fortë:

Viktoria: Erdhëm me dëshirën për të fituar

"Gjithmonë është e vështirë, pasi niveli këtu është ekstremisht i lartë. Kurrë nuk hyn në një turne duke e ditur paraprakisht se do të fitosh. Erdhëm me dëshirën për të fituar dhe mendoj se filluam si favorite, por jemi fatlume që ia dolëm, sepse ndeshjet gjysmëfinale ishin vërtet shumë të vështira," deklaruan Kurz dhe Lopez Diaz.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Kryetari i Federatës së Padelit të Kosovës, Besim Shulemaja, i cili vlerësoi lart organizimin dhe shpalosi planet e ardhshme të federatës, me fokus te përfaqësimi ndërkombëtar dhe projektet afatgjata.

Shulemaja: Synojmë rezultate kulmore në Itali dhe përgatitemi për Prishtina 2030

"Jemi duke u përgatitur maksimalisht për Lojërat Mesdhetare 'Prishtina 2030'. Ndërkohë, gjatë kësaj vere do të marrim pjesë në kampionatin që do të mbahet në Taranto të Italisë, ku po punojmë intensivisht që të sjellim rezultate sa më të mira për Kosovën," u shpreh Shulemaja.

Në konkurrencën e meshkujve, fitues u shpallën lojtarët nga Holanda, Julian Prins dhe Youp de Kroon. Për ta, ky sukses në Prishtinë erdhi pas një turneu të ngjeshur ndërkombëtar dhe vlerësuan lart mikpritjen dhe nivelin e garës në qendrën e sapohapur.

Julian: Është ndjenjë e mrekullueshme të fitosh një kampionat me një nivel të tillë

"Ndjehemi shumë mirë. Javët e fundit i kemi kaluar në Azi dhe erdhëm këtu direkt nga Singapori. Në këtë turne patëm pesë ndeshje mjaft të mira radhazi dhe është ndjenjë e mrekullueshme të fitosh një kampionat me një nivel të tillë konkurrence," përfunduan fituesit holandezë.

Ky turne shënon edhe fillimin e mbarë për "Terra Padel Society", e cila u hap vetëm pak ditë më parë, duke u bërë menjëherë nikoqire e ngjarjeve të përmasave ndërkombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat