Ekipi i KosovaPress ka përcjellë nga afër konferencën për media të Donjeta Sadikut dhe trajneres së saj, Marjola Sallauka në kuadër të Federatës së Boksit, e cila u mbajt sot në Hotel “Sirius” në Prishtinë, me rastin e triumfit historik të boksieres kosovare në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Sadiku fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kilogramë, pasi në finale mposhti kundërshtaren ruse që përfaqësonte Serbinë. Përballja u ndërpre në raundin e dytë, pasi boksierja pësoi lëndim mbi vetull dhe gjyqtari e ndaloi ndeshjen.
E pyetur nëse ishte befasuar nga ndërprerja e finales, Sadiku tha se ajo dhe trajnerja e saj kishin pritur që përballja të shkonte deri në fund.
Sadiku: Nuk e kam pritur që meçi të përfundonte në raundin e dytë
“Jo, nuk e kemi pritur. Boksieren që e kemi pasur përballë është e dyta në botë dhe është boksere që e kam vlerësuar shumë, si unë ashtu edhe trajnerja ime. Kemi besuar shumë që ka me shkuar tri runda, si çdo ndeshje tjetër që i kam pasur. Mirëpo, unë kam qenë shumë e qetë, kam qenë shumë mirë psikikisht dhe ai sen që ka ndodhur mund t’i ndodhë çdo boksieri. Nuk e kam pritur, por ashtu ndodhi.”
Duke folur për rëndësinë e medaljes së artë, Sadiku theksoi se triumfi në Taranto kishte një peshë të veçantë për të, pasi në ring përfaqësonte Kosovën.
Sadiku: Nuk kam luftuar vetëm për vete, por për vendin tim
“Ka qenë shumë e rëndësishme. Ka qenë një ndër luftërat ku unë nuk kam luftuar veç për vete, po për vendin tim. Ka qenë një ndër luftërat që e kam përjetuar se çka është të luftosh për vendin tim. Kështu që nuk është e rëndësishme vetëm për mua, por edhe për të gjithë Kosovën.”
Trajnerja Marjola Sallauka u shpreh e kënaqur me paraqitjen e Sadikut dhe me suksesin e arritur në Taranto, por theksoi se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim, ajo bëri të ditur se pas suksesit në Lojërat Mesdhetare, vëmendja është kthyer te Kampionati Evropian, ku sipas saj sfida do të jetë edhe më e madhe.
Sallauka: Kampionati Evropian është një dimension tjetër
“Normal që jam shumë e kënaqur për paraqitjen e saj. Medalja e artë ka shumë domethënie, sidomos meçi i fundit. Vend për përmirësime, gjithmonë ka vend për përmirësime. Tash e kemi edhe Kampionatin Evropian shumë afër dhe duhet të punohet edhe më fort për këtë kampionat. Lojërat Mesdhetare e kanë rëndësinë e vet, sfidën e vet, por Kampionati Evropian është një dimension tjetër ku sfida është më e madhe se që e kemi pasur. Kemi punuar fort, kemi punuar edhe më herët për të dy garat, edhe për Lojërat Mesdhetare, edhe përgatitje kemi bërë edhe për Kampionatin Evropian gjithashtu. Besoj shumë që në Kampionatin Evropian kemi me pasur të njëjtën paraqitje, pra të fitojmë medaljen e artë në Kampionatin Evropian.”
Me triumfin në Taranto, Donjeta Sadiku u shpall kampione e Lojërave Mesdhetare, ndërsa tash objektivi i radhës për të dhe trajneren Marjola Sallauka është Kampionati Evropian.