Ndonëse po i drejohet moshës 37-vjeçare, e cila peshon edhe më shumë kur bëhet fjalë për një sport të rëndë si peshëngritja, Briken Calja vijon të dhurojë rezultate të mëdha për Shqipërinë.
Shtangisti kuqezi ka shkëlqyer në konkurrimin e tij në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke e mbyllur garën me dy medalje, një ari dhe një bronzi. Ndërkohë, me aplikimin e kategorive të reja të peshave, Calja ka shënuar edhe katër rekorde mesdhetare.
Një bilanc fantastik për peshëngritësin shtërmenas, i cili dje bëri garë fantastike në kategorinë e peshave 75 kg. Në stilin e shkëputjes Calja ishte thjesht perfekt, duke i kaluar pastër të tria provat, përkatësisht me 147 kg, 152 kg dhe 154 kg, duke merituar medaljen e arit. Më tej, në stilin e shtytjes, gara nuk nisi në mënyrën më të mirë për peshëngritësin tonë, i cili dështoi provën e parë me 183 kg. Megjithatë, Calja ia doli me sukses në provën e dytë me 184 kg, ndërsa nuk mundi të kalonte provën e tretë me 187 kg.
Kështu, me 184 kg, Briken Calja siguroi një tjetër vend në podium, duke e mbyllur shtytjen me medalje bronzi në një kategori peshe ku garuan 7 sportistë gjithsej. Me dy medalje në qafë, Calja përfundon një tjetër kompeticion për duartrokitje, duke sfiduar moshën dhe duke zgjeruar palmaresin e triumfeve, pas sukseseve të shumta në botërore, europiane apo kampionate ballkanike.
Ndërkohë, peshëngritja shqiptare fitoi dje gjithashtu edhe një tjetër medalje, e cila mban firmën e Enkileda Carjes. Vajza e talentuar nga Librazhdi mori të bronztën në kategorinë e peshave 69 kg. Ndonëse është vetëm 18-vjeçare, Enkileda po matet me sukses në garat për të rritura.
Medalja erdhi në stilin e shkëputjes, me Carjen që shënoi rezultatin 100 kg, ndërsa në shtytje ajo e mbylli me 116 kg, duke u klasifikuar në vendin e shtatë mes 11 rivaleve. Kështu, me një vend në podium Carja dhe trajnerja e saj Eglantina Kalemi kthehen me mision të përmbushur nga Taranto. Një tjetër emër madh i shtangës dhe sportit shqiptar që zbriti dje në konkurrim ishte edhe Erkand Qerimaj, tashmë në moshë 38-vjeçare. Qerimaj mati forcat në kategorinë e peshave 85 kg, duke u klasifikuar në vendin e pestë në shkëputje me 151 kg dhe në vendin e katërt në shtytje me 187 kg, garë ku morën pjesë 7 konkurrentë. Garat e peshëngritjes në Lojërat Mesdhetare do t’i mbyllë sot Ertjan Kofsha, me kategorinë e peshave 96 kg që nis në orën 13:00.
Shqipëria debutoi dje edhe me sportin e karatesë në “Taranto 2026”. Abdullah Backa e nisi mirë, teksa mposhti në duelin e parë serbin Aleksandar Vuçkoviç në peshat -67 kg, për t’u ndalur në ndeshjen e dytë kundër marokenit Said Oubaya.
Në peshat -60 kg Orges Arifi u mposht që në përballjen e parë nga greku Christos Xenos.
Ndërkohë, Bekim Basha kaloi me sukses sfidën debutuese në peshat -75 kg, teksa mposhti qipriotin Stavros Charalambides. Në çerekfinale u mund nga turku Omer Faruk Yurur, për të kaluar në ripeshikim, aty ku u mposht nga siriani Fawaz Bani Almarjeh.