Vllaznia për fitore

Futboll

Vllaznia për fitore

Më: 24 janar 2021 Në ora: 12:24
Vllaznia për fitore

Kategoria Superiore rikthehet sot me ndeshjet e javës së 16, teksa gjithçka do të startojë në orën 13:45 me përballjen mes Kukësit e Bylisit. Verilindorët ndërprenë “hemorragjinë” e humbjeve në mesjavë, pasi ia dolën të triumfojnë me shifrat 1-3 në transfertën ndaj Apolonisë, ndërsa sot do të kërkojnë një tjetër sukses.

Në “Elbasan Arena” Kukësi është dukshëm favorit, jo vetëm për cilësitë e lojtarëve, por edhe atë të terrenit, që lejon verilindorët të shprehen më mirë, ndaj fitorja ndaj mallakastriotëve është detyrim për ta, duke qenë se edhe beteja për zonën europiane është ashpërsuar shumë.

Po në orën 13:45, në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës do të luhet një sfidë direkte për mbijetesën, mes vendasve të drejtuar nga Julian Ahmataj dhe Apolonisë, që nën drejtimin e Cammaratës ka dhënë shenja jete.

Momentalisht korçarët janë të fundit në renditje, me vetëm 11 pikë, një më pak se Apolonia e Bylis, por gara për mbijetesë është bërë e ashpër mes këtyre tre ekipeve, ndaj ndeshja e sotme merr një rëndësi të jashtëzakonshme.

Në orën 16:45 vëmendja do të spostohet në Shkodër, aty ku Vllaznia vendase do të kërkojë suksesin e radhës ndaj Kastriotit. Kuqeblutë kryesojnë me meritë kampionatin me 9 pikë diferencë nga ndjekësit më të afërt, që janë Teuta e Partizani, ndërsa sot do të provojnë të shkëputen edhe më shumë.

Terreni i “Loro Boriçit” është një armë më shumë për shkodranët, që armën më të fortë të tyre kanë qarkullimin e shpejtë të topit dhe në mesjavë vuajtën jo pak në fushën e Ballshit, ndaj pasditen e sotme pritet ta kenë më të lehtë ndaj krutanëve.

Nga ana tjetër këta të fundit, pas nisjes së mirë të kampionatit, po vuajnë mungesat e shumta dhe kanë regjistruar disa rezultate negative radhazi, që e kanë zbritur në vendin e 7 me vetëm 17 pikë, por gjithsesi janë ende larg zonës së ftohtë.

Të tre këto takime do të vijnë live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport, ashtu si emisioni i përhershëm dedikuar Superiores, “Gol pas Goli”, që do të përcjellë analiza, komente e intervistat e protagonistëve pas ndeshjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat