Josa përballë Tiranës

Futboll

Josa përballë Tiranës

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 17:04
Josa përballë Tiranës

Përballja me të kaluarën nuk është dosido për Mirel Josën. Trajneri, këtë të shtunë, rikthehet në “Selman Stërmasi” për t’u përballur me Tiranën e tij. Si futbollist i Tiranës së Madhe të viteve ’80 dhe si trajner, por në këtë rolin e dytë ruan ndoshta edhe kujtimin më të keq të karrierës së tij. Josa është ndarë nga Tirana me pengje të mëdha, pa dyshim, në 2017, bardheblutë ranë nën drejtimin e tij për herë të parë nga kategoria, u përjetua si një tragjedi e vërtetë, me Mirelin që u largua, pa folur shumë.

Ju deshën plot 4 vjet që të rikthehej në drejtimin e një skuadre në Superiore edhe për këtë arsye, kohë e nevojshme për të tretur një dhimbje të madhe apo për të larguar fantazmat, periudhë gjatë së cilës, edhe pse jashtëzakonisht i rezervuar, në deklaratat e pakta të dhëna nëpër rreshta, ka lënë të kuptohet edhe përgjegjësinë e të tjerëve te bardheblutë, pa përjashtuar të tijën për dramën sportive të klubit më të titulluar në vend.

Josa rikthehet në “Selman Stërmasi” me misionin për të kthyer te fitorja Kukësin, që vuan jo pak, një mision ku, duke e njohur për profesionalizmin dhe karakterin, është përkushtuar 100%, por vështirë se në këtë rikthim nuk do t’i shfaqen hijet e së kaluarës, të një të kaluare që nuk mund të kthehet më pas, pavarësisht se nëpër mendje mund t’i ketë kaluar mijëra herë se çfarë mund të kishte bërë ndryshe, për të evituar atë katastrofë të viti 2017.

Ai e ka fituar 5 herë titullin kampion, 4 herë me Skënderbeun, që e ka çuar edhe në grupet e Europa League-s, dhe 1 herë me Tiranën; është trajneri më i titulluar shqiptar nga ata në qarkullim e megjithatë, për të mos përjetuar atë rënie, me siguri, ndonjë titull do ta kishte falur.

Futbolli është i bukur, sepse të jep mundësinë të shohësh përpara, ashtu si dhe jeta, dhe Josa është rikthtyer, në të mirë të Kukësit edhe të futbollit, është një aset i çmuar i trajningut shqiptar dhe këtë të shtunë, përballë Tiranës, nuk ka se ç’të provojë, thjesht i duhet të shikojë përpara dhe për dikë si ai, me krenarinë për të parë këdo në sy, edhe ata që kanë pjesën e tyre të fajit për atë rënie nga kategoria, jeta vazhdon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat