Daja: Kastrioti ekip pragmatist, do ketë minuta për Hasanin!

Futboll

Daja: Kastrioti ekip pragmatist, do ketë minuta për Hasanin!

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 14:34
Daja: Kastrioti ekip pragmatist, do ketë minuta për Hasanin!

Ilir Daja u bën thirrje futbollistëve të tij të kenë kujdes nga Kastrioti. Partizani do të sfidojë këtë të shtunë në Kamëz skuadrën krutane e cila në fazën e parë në ndeshjen hapëse të kampionatit i mposhti të kuqtë. Në konferencën për shtyp para kësaj sfide, Daja jo vetëm që analizoi kundërshtarin por bëri me dije se do të ketë disa minuta edhe për Ferhan Hasanin në këtë sfidë.

“Edhe pse jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë në fundin e fazës së parë, pra pozicionohemi të dytët. Në fazën e dytë kemi 5 pikë më shumë se në fazën e parë. Kemi pasur më shumë stabilitet dhe ngritje. Pesë pikët më shumë do të thotë që gjërat kanë ardhur në përmirësim”.

Kastrioti? “Është një ekip pragmatist. Vjen nga dy fitore dhe ka moral të mirë, njësoj si ne. Kemi vetëm rezultate pozitive në vitin 2021. Në dy fazat e para, kemi një ndeshje të humbur dhe një të fituar ndaj tyre. Është një ndeshje e vështirë. Nëse nuk do të jemi me motivimin e duhur, do e vështirësojmë situatën.Kastrioti ka një tjetër moral, është i qetë, nuk është nën presion për të bërë sforco të mëdha. Duhet të jemi të përqendruar dhe të motivuar maksimalisht gjatë 90 minutave, në mënyrë që edhe ato pak problemet e terrenit t’i minimizojmë duke shtuar dozën e dyluftimeve dhe të përqendrimit në maksimum”.

“Do bëjmë gabimin më të madh nëse shohim diferencën që kemi me Vllazninë. Ne duhet të fokusohemi te ndeshjet tona, sepse nuk ka asnjë të mirë nëse shikojmë se çfarë bën Vllaznia. Jemi 4-5 ekipe që rivalizojmë me Vllazninë. Duhet të shikojmë ndeshjet tona. Vllaznia humbi javën e fundit, por do ishte e njëjta diferencë nëse nuk do të fitonim në Ballsh.Ndeshje jetike është ajo që kemi nesër kundër Kastriotit. Tani jemi pak më të qetë për të bërë rotacione. Në mesjavë do na duhet të bëjmë rotacion, për të mbajtur freskinë e ekipit. Ne duhet të bëjmë lojën tonë nesër”.

“Kastrioti ka një mënyrë lojë, por ndaj Kukësit e interpretoi ndryshe manovrën. Përgjithësisht presin në gjysmëfushën e tyre. Ka disa sulmues që e ndërtojnë shumë mirë kundërsulmin, kështu që ne nuk duhet të jemi të ç’ekuilibruar, ashtu siç na gjeti të papërgatitur në ndeshjen e parë të sezonit.Do të jetë një ndeshje që do e fitojë ai që do gabojë më pak. Neve nuk jemi një ekip agresiv. Dyluftimet nuk i kemi armën tonë më të fortë, pavarësisht se në ndeshje si ajo ndaj Skënderbeut në Korçë, ku terreni ishte i mbuluar me borë, të gjithë lojtarët pothuajse i fituan dyluftimet”.

“Duhet të bëjmë lojën tonë, nuk është s’e kemi frikë nga dyluftimet. Futbolli është lojë prezent me dyluftime. Kemi karakteristika të tjera në raport me kundërshtarin. Shpresojmë të dalim në lojën tonë dhe ta drejtojmë ne ndeshjen. Në të kundërt, do e vështirësojmë jashtë mase. Hasani mund të ketë disa minuta, varet si do të shkojë ndeshja. Gjendja e tij tashmë mundet të përballojë disa minuta në lojë, pa pasur probleme me dëmtime. Mund të ishte futur edhe në Ballsh, do t’i kenë minutat, si ai si Dominguez, në momentin që do të kenë gjendjen më të mirë, që të shprehen në maksimumin e tyre“, përfundoi Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat