Batz gabon, Nmecha shënon! Borussia Dortmund lider i ri në Bundesliga I

Futboll

Batz gabon, Nmecha shënon! Borussia Dortmund lider i ri në Bundesliga I

Nga: B.S. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 17:43
Festë pas ngjitjes në vendin e parë: Felix Nmecha shënoi golin e vetëm dhe vendimtar të ndeshjes.

Borussia Dortmund ka marrë kreun e Bundesligës gjermane, pasi ka triumfuar me rezultat 1:0 në udhëtim ndaj Borussia Monchengladbachut, në kuadër të javës së dhjetë.

Heroi i skuadrës verdhezi ishte Felix Nmecha, i cili shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 80-të.

Dortmundi e nisi ndeshjen më kërkues dhe krijoi dy mundësi të mira në pjesën e parë, por në të dyja rastet Nmecha u ndal nga portieri i vendasve, Batz.

Edhe vendasit patën rastet e veta. Scally ishte pranë golit në minutën e 26-të, ndërsa Hack rrezikoi me kokë katër minuta më vonë.

Në minutën e 39-të, vendasit kërkuan penallti për prekje të topit me dorë nga Gadou, por gjyqtari nuk e konsideroi ndërhyrjen të qëllimshme. Pjesa e parë u mbyll pa gola.

Në pjesën e dytë, loja u bë më dinamike dhe të dyja skuadrat krijuan raste shënimi. Megjithatë, me kalimin e minutave, Dortmundi shtoi presionin dhe e detyroi Monchengladbachun të tërhiqej gjithnjë e më shumë në mbrojtje.

Pas disa mundësive të krijuara, erdhi edhe goli vendimtar. Në minutën e 80-të, Felix Nmecha goditi nga pozita qendrore, ndërsa portieri Batz nuk reagoi siç duhej dhe topi përfundoi në rrjetë.

Deri në fund, Dortmundi e administroi me sukses epërsinë dhe siguroi tri pikë të rëndësishme.

Me këtë fitore, Borussia Dortmund ngjitet në vendin e parë të Bundesligës me 24 pikë apo me dy pikë më shumë se Bayern Munihu.

Tashmë, skuadra e drejtuar nga Niko Kovaç përgatitet për sfidën e madhe të Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, që zhvillohet të martën, ndërsa Monchengladbach do të luajë të premten në udhëtim ndaj Werder Bremenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat