Një erë e re sapo ka nisur

Futboll

Një erë e re sapo ka nisur

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 12:02
Një erë e re sapo ka nisur

Dy ditët e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve do të mbahen mend gjatë, sepse pas një dueli 15-vjeçar mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, që kanë ndezur botën e futbollit, duket se ka ardhur edhe dorëzimi i stafetës: Dueli që do të shënojë epokën e re të futbollit ndërkombëtar është ai mes Kylian Mbappe dhe Erling Haaland.

Ndërkohë që Messi po përballet me problem të shumta që kanë përfshirë klubin e Barcelonës dhe Ronaldo është zhdukur në një natë të komplikuar për Juventusin në “Oporto”, yjet e dy talenteve të rinj kanë shkëlqyer sërish në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.

Messi e Ronaldo sigurisht që do të vijojnë të bëjnë mirë sërish dhe të fitojnë trofe të tjera akoma, por duket se tashmë dyshja Mbappe-Haaland janë gati të marrin skenën e futbollit europian dhe t’i japin jetë një tjetër dueli spektakolar në futboll.

Rënia e Messit nga froni ishte e qartë mbrëmjen e të martës në “Camp Nou”, pasi Mbappe tregoi forcë fizike dhe aftësi tekniku, duke shënuar tre herë në portën e katalanëve dhe duke u bërë njëkohësisht futbollisti i tretë me më shumë gola me fanellën e PSG-së, plot 111 të tillë ndonëse ka vetëm 22 vite mbi shpinë.

“Kur kam parë Mbappe që shënoi tre herë në portën e Barcelonës, le të themi që jam motivuar edhe më shumë për të shënuar. E kam parë të shënoj dhe kjo ka qenë një shtysë më shumë për mua, që të bëj mirë në fushën e lojës”, deklaroi ylli norvegjez i Borussias së Dortmundit, Erling Haaland, i cili mbrëmjen e djeshme shënoi dy herë dhe dha një asist në suksesin 2-3 të gjermanëve në Andaluzi ndaj Sevillas.

Me dopietën e djeshme Haaland shkoi në kuotën e 41 golave me fanellën verdhezi të Dortmundit, të gjithë të shënuar në vetëm 42 ndeshje, duke konfirmuar shifra vërtetë të frikshme, që bëhen edhe më të ajshtëzakonshem në Ligën e kampionëve, ku ka shënuar plot 18 të tillë në vetëm 13 ndeshje.

Era e re e futbollit sapo ka nisur: Kylian kundër Erling, ose klasi i lartë i francezit, me potencën e jashtëzakonshme të norvegjezit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat