Skënderbeu ndal Tiranën

Futboll

Skënderbeu ndal Tiranën

Më: 10 prill 2021 Në ora: 15:08
Skënderbeu ndal Tiranën

Barazimi i parë për Orges Shehin në stolin e Tiranës erdhi pas 11 ndeshjesh pikërisht në Korçë në qytetin ku shkroi historinë si futbollist me Skënderbeun. Bardhekuqtë ndalën bardheblutë në një barazim pa gola, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalojnë me skuadrën e Memellit që mori pikën e 10-të në 5 ndeshjet e fundit dhe rriti ndjeshëm shanset për mbijetesën. Për Tiranën e Shehit një barazim që i qëndron ngushtë sepse erdhi pas dy fitoresh dhe rresht dhe bardheblutë mund të humbasin terren në garën për Europën dhe titullin.

Në Korçë sfida nisi me Tiranën më kërkuese. Tentativa e parë në drejtim të portës erdhi në minutën e 7-të por goditja e Taulant Seferit ishte e lehtë dhe nuk solli asnjë vështirësi për Dajsinanin. 3 minuta më pas provoi edhe Marsel Ismailgeci nga distanca por portieri i Skënderbeut u shfaq në lartësinë e duhur. Minutat në vazhdim ishin disi më të qeta me dy skuadrat që u munduan të studionin lojën e njëra-tjetrës edhe pse duhet theksuar që Skënderbeu nisi të shikonte më shumë nga porta e Tiranës. 10 minutat e fundit të pjesës së parë ishin “zjarr” me raste nga të dy krahët. Në të 36-ën rasti i parë për Skënderbeun në këtë sfidë por goditja me kokë e mbrojtësi Leonard Vitija shkoi mbi traveresë.

E rriti shumë presionin skuadra e Memellit teksa në minutën e 40-të u desh ndërhyrja e Visar Bekajt për të evituar golin e korçarëve, me Jorgo Meksin që goditi fluturimthi por mori kundërpërgjigjen e portierit kosovar të bardhebluve. Goli ishte në ajër dhe erdhi pak sekonda më vonë me Uerdi Marën që krosoi saktë për Elvi Berishën i cili nuk fali në goditjen e tij me kokë, por gjithçka u anulua nga gjyqtari anësor për një pozicion jashtë loje. Në aksionin pasardhës u shfaq edhe Tirana e rrezikshme me Torassën që nxorri të lirë para porte Seferin, por sulmuesi nuk kontrolloi siç duhet topin e marrë nga argjentinasi. Pjesa e parë u mbyll me një diagonale të Seferit që nuk gjeti portën e Dajsinanit.

Pjesa e dytë nisi me Tiranën disi më mirë, por edhe bardhebluve u mungonte pasimi i fundit. Në të 60-ën provoi Erjon Hoxhallari nga distanca i cili në ditët po flitet për një kalim të St Mirren në kampionatin skocez, por goditja e mbrojtësit të kombëtares nuk gjeti portën e Dajsinanit. Në minutën e 69-të një tjetër rast i pari për Skënderbeun në pjesën e dytë, por goditja e Vangjel Zguros nga distanca ishte e lehtë dhe u prit pa vështirësi nga Bekaj. 4 minuta më vonë erdhi kundërpërgjigjia e Tiranës me Augstin Torassën që provoi të realizonte një perlë, por parabola e tij nga jashtë zone shkoi për fare pak mbi traun e portës.

Në minutën e 76-të tjetër mundësi e mirë për kryeqytetasit me Seferin që iu vodh mbrojtjes vendase, por tentativa e tij fluturimthi nuk shkoi në kuadrat. Minutat në vazhdim folën pothuajse të gjitha për Tiranën që e përqëndroi lojën në gjysmëfushën e Skënderbeut, por rastet e pastra për shënim munguan me dy skuadrat që ndanë nga një pikë, barazim që u shkoi më shumë përshtat korçarëve të cilët e ngushtuan në vetëm 3 pikë diferencën me Bylisin e vendit të 8-të dhe kanë shanse reale për të kapur zonën play-out ose pse jo për të synuar qëndrimin direkt në Superiore edhe për sezonin e ardhshëm.

Kukësi u rikthye pas afërsisht dy muajve te fitorja dhe klubi verilindor ia doli mbanë për ta bërë këtë në një fushë që konsiderohet si e vështirë, ndaj Kastriotit. Në Kamëz blutë e Mirel Josës shpërthyen me tre gola në pjesën e dytë, duke regjistruar suksesin e parë në kampionat pas ekzaktësisht 56 ditëve.

Fitorja e gjashtë larg shtëpisë u vulos nga dy golat e qendërsulmuesit Patrick Friday Eze, që i mjaftuan 28-vjecarit nigerian për të kaluar kapitenin e ekipit të tij Agim Ibraimi në listën e golashënuesve më të mirë të këtij edicioni të Kategorisë Superiore, ndërsa llogaritë i mbylli përfundimisht Bruno Lulaj. Në këtë mënyrë formacioni i drejtuar nga trajneri Ramazan Ndreu shpërdoroi ndoshta mundësinë e fundit për të bërë rokadën me skuadrën kukësiane, përkundrazi tani është klubi verilindor që duket se shkëput përfundimisht lidhjet me “zonën e ftohtë”, teksa krijon një diferencë prej plot 5 pikësh me ekipin e Kastriotit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat