Partizani dominon

Futboll

Partizani dominon

Më: 11 prill 2021 Në ora: 18:30
Partizani dominon

Pas dy barazimeve radhazi pa gola, Partizani u rikthye te fitorja, falë golit më të shpejtë të këtij sezoni në Superiore, pas vetëm 16 sekondash të Stenio Juniorit si dhe finalizimeve të Asanit e Çinarit. Një 3-0 i pastër që mund të kishte qenë më i thellë për ekipin e Dajës nëse të kuqtë nuk do të kishin shpërdoruar pafund përpara portës, dhe pse goli i fundit i Çinarit ishte për t’u vendosur në kornizë.

Vetëm 15 sekonda ka zgjatur baraspesha. Stenio Junior kaloi në avantazh skuadrën e kuqe, pas një gafe të portierit Qirko. futbollisti brazilian nuk ka falur, duke tundur rrjetën..

Në minutën e tretë u regjistrua rasti i vetëm i pastër për Bylisin me sulmuesin Antoni, i cili i vetëm para Hoxhës, pas gabimit në pasim të Bitrit, nuk arriti ta mposhtte portierin e të kuqve.

Partizani dominon lojën, krijon raste të njëpasnjëshme, por sulmuesit e të kuqve, veçanërisht Çinari, shpërdoruan shumë  (25’, 31’).

Partizani e gjeti rrugën e rrjetës me Çinarin, pas një skeme perfekte nga goditja e dënimit, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

E pabesueshme çfarë humbet Çinari brenda zonës në të 59-tën. Pas harkimit të Hakajt nga e majta, sulmuesi i Partizanit nuk finalizon dot, në afërsi të pikës së penalltisë, duke e dërguar sferën jashtë kuadratit.

Pasi vuri në vështirësi Qirkon me një goditje nga jashtë zonës, Asani shënoi golin e dytë në të 69-tën, i shërbyer nga Çinari, që lëvizi bukur nga e majta, 2-0.

Tjetër shans i artë për Partizanin me Cardozon, por sulmuesi nuk arrin të realizojë me kokë i vetëm brenda zonës. Pas harkimit të Çinarit nga e djathta, devijimi me kokë i brazilianit ishte i dobët dhe përfundoi drejt e në duart e Qirkos.

Eraldo Çinari e gjeti më në fund golin në të 84-tën, pas një inkursioni individual, i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtjes.

U mbyll 3-0 për Partizanin, që mori një fitore të rëndë në kryeqytet, arriti vendin e dytë në renditje bashkë me Vllazninë dhe shton shanset në garën për titullin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat