Jaupaj-Sherifaj: Për ne, jetike fryma e skuadrës

Futboll

Jaupaj-Sherifaj: Për ne, jetike fryma e skuadrës

Më: 15 prill 2021 Në ora: 22:19
Jaupaj-Sherifaj

Futbolli ka evoluar shumë në 20 vitet e fundit, jo vetëm në dimensionin sportiv, ku kërkohen gjithmonë e më shumë stafe të kualifikuara mjekësh, fizioterapistësh, përgatitësish fizik, skaut, video-analistë, profesion që ka lindur në të gjithë botën vetëm dekadën e fundit, por edhe në dimensionin e zyrës, e thënë në formën më të thjeshtë.

Gjithmonë e më shumë organizatat sportive kërkojnë të investojnë në menaxherë më të kualifikuar, juristë të specializuar, financierë, ekspertë marketingu, ekspertë Marrëdhëniesh Publike si edhe menaxherë skuadrash. Vite më parë nuk mendohej se për të pasur sukses nevojitej një investim i madh në këtë drejtim, por sot për të pasur një strukturë të suksesshme dhe të aftë për të gjeneruar të ardhura nevojiten burime njerëzore të nivelit më të lartë. Industria e futbollit është sfiduese në këtë aspekt.

Federata Shqiptare e Futbollit është duke investuar shumë energji dhe burime financiare për të rritur kapacitetet njerëzore të punonjësve të vet, por edhe të anëtarëve që formësojnë federatën, që janë klubet e futbollit të regjistruara në FSHF. Mbetet e sigurt se rritja e kapaciteteve menaxheriale sjell rritjen e performancës së organizatës.

Në dimensionin sportiv prej më shumë se një dekadë “shteti i futbollit” ka ngritur Shkollën e Trajnerëve duke ofruar Licenca të UEFA-s për trajnerë, licenca, që njihen në të gjithë botën dhe kanë të njëjtën kurrikul si në vendet më të zhvilluara të botës futbollistike. Në të njëjtën kohë janë ngritur tre Departamente të reja në FSHF, të cilat po ofrojnë kurse dhe specializime. Departamenti i Analizës, Skautizimit dhe Inovacionit është një ndër to, që po zhvillon kurse për një profesion të ri në Shqipëri siç është profesioni i video-analistit, që ofron të dhëna statistikore dhe analizë tekniko-taktike të kundërshtarëve dhe ndihmon trajnerin të përmirësojë punën në skuadrën e tij.

Mjekësia sportive e cila ka deficite të mëdha në vendin tonë është gjithashtu në fokus, me Departamentin Mjekësor që është ngritur dhe drejtohet nga themeluesi i Juventus Medical Center, Gianluca Stessina.

Investimi prej vitesh në burime njerëzore ka sjellë një rritje të performancës së organizatës dhe menaxherëve, duke sjellë një përfaqësim më të shumtë në strukturat drejtuesve të UEFA-s, qeverisë europiane të futbollit. Sot Federata e Futbollit është e përfaqësuar në 8 komisione të ndryshme me poste të rëndësishme. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, është tashmë anëtar i Komitetit të Futbollit në krah të emrave të mëdhenj të futbollit botëror. Arben Dervishaj është anëtar i Panelit të Ndërtimit dhe Menaxhimit të Stadiumeve. Në Komisionin Juridik është zgjedhur Artan Hajdari. Komisioni i Medias ka tashmë anëtar Gazmend Malon, drejtuesin e sektorit të Marketingut në FSHF, ndërkohë që Zv.Presidenti Edvin Libohova është zgjedhur anëtar në komitetin e Përgjegjësisë Sociale dhe Fair Play-t. Anëtar në panelin e Konventës së Arbitrimit është edhe shefi i sektorit të Gjykimit, Sokol Jareci, ndërsa Aldi Topçiu, shefi i zyrës Juridike të FSHF-së, mban statusin e oficerit të Integritetit, pjesë e grupeve të punës së UEFA-s për ndeshjet e dyshuara për trukime.

Presidenti Duka, njëherësh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, është nënkryetar i Komitetit HatTrick si dhe nënkryetar në komisionin e Stadiumeve dhe të Sigurisë. Përfaqësimi në këto nivele kaq të larta dhe të panjohura më parë në historinë e sportit shqiptar tregon punën e mirë që është bërë ndër vite për rritjen dhe përmirësimin e stafit të organizatës më të madhe sportive në vend.

Për të folur në lidhje me punën që bëhet në këto dy dimensione, fshf.org, ka zhvilluar një intervistë me Drejtoreshën e Burimeve Njerëzore, Edlira Jaupaj-Sherifaj, e cila së fundmi është diplomuar me “Certificate in Football Menagement”, një diplomë e lëshuar nga UEFA në bashkëpunim me Universitetin e Lozanës dhe London Business School.

– FSHF prej vitesh investon te punonjësit e saj për të rritur performancën e tyre. Ju prej vitesh keni bërë trajnime dhe kualifikime të stafit, indivuale dhe në grup. Cilat janë synimet e këtyre investimeve?

Ne punojmë paralelisht në dy fronte për punonjësin tonë, ku përveç trajnimeve dhe specializimeve që na ofron partneri ynë i madh UEFA, nëpërmjet UEFA Academy, ne ndjekim një program tonin të trajnimeve për të rritur performancën dhe frymën e grupit brenda organizatës.

Në programet e UEFA-s ne jemi të përfshirë në të gjitha fushat sipas programeve akademike dhe jo vetëm që ata ofrojnë, siç janë CFM, Diploma në Futboll Lidership Menagement, por edhe trajnime e certifikime më të vogla 5-6 ditore në Marrëdhënie Publike, Marketing, futboll femrash, organizim garash apo futbolli i fëmijëve. Ne jemi të sigurt se me rritjen profesionale, përmirësimin e vazhdueshëm të punës në skuadër dhe vlerësimin e punës së gjithsecilit do të kemi një FSHF më të mirë, e cila do të afektohet edhe te anëtarët tanë. Ne së fundmi kemi bërë një trajnim me të gjithë pjesën ekzekutive të administratës, me të gjithë drejtorët e lartë, për të standardizuar shumë procese të punës së tyre të përditshme, e cila do të ndihmojë departamentet në shkëmbim të shpejtë të informacionit dhe në një rendiment më të lartë.

Kemi zhvilluar trajnime të vazhdueshme me specialistët e departamenteve për frymën në grup, si punohet në një skuadër të madhe, si të asistojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin përtej punës individuale. Ne insistojmë shumë te fryma në grup dhe krijimi i një familje të madhe për faktin se jemi një organizatë shumë dinamike, ku mjafton të përmend rastin e një ndeshjeje ndërkombëtare të skuadrës A, e cila në të njëjtën kohë shoqërohet edhe me kombëtaret U-21, U-19 dhe U-17.

Në këto momente angazhohen me dhjetëra persona, me orare të tejzgjatura pune dhe ka momente që shumë punonjës përveç punës së profilizuar të tyre kryejnë punë që ndërlidhen me sektorë të tjerë ku bashkëpunimi është domosdoshmëri. Prandaj e shikojmë si jetike frymën e skuadrës. Duhet të nënvizoj faktin se ne si institucion kemi politika për ‘upgrade’, duke promovuar në pozicione drejtuese stafin tonë që ka bërë eksperiencë në pozicione të tjera. Janë bërë gjithashtu trajnime dhe për departamente specifike, si marketingu, financa e ai ligjor.

– Edlira, a keni ju një politikë për vlerësimi dhe rritje në karrierë brenda organizatës?

Ne si organizatë e kemi qëllim dhe synim vlerësimin dhe motivimin e kapaciteteve të brendshme. Kemi një sistem meritokracie. Gjithmonë kur kemi pasur raste largimesh, krijimi i një pozicioni të ri  apo dalje në pension të drejtuesve të caktuar, ne përpara se të dalim në treg për të kërkuar për alternativa, bëjmë vlerësimin e kapaciteteve që kemi brenda FSHF-së, duke parë nëse është e mundur të mbulohet pozicioni nga një specialist apo përgjegjës sektori. Pa u bindur se alternativa më e mirë është këtu brenda, nuk fillojmë kërkimet përtej.

Duam të nxisim e motivojmë stafin që kemi brenda duke parë edhe investimin që kemi bërë ndër vite si edhe fakti që kanë një njohje të madhe të federatës. Një person që vjen nga jashtë do të dojë gjashtë muaj apo edhe një vit për të njohur totalisht institucionin, duke na shkaktuar humbje në ritëm dhe një kosto të lartë në menaxhim. Në momentin që shikojmë që profilet e kërkuara mungojnë atëherë i drejtohemi tregut. Promovimet nga brenda i shoqërojmë me trajnime, nga mënyra sesi duhet të sillesh me vartësit e deri te funksionet menaxheriale. Pas trajnimeve lëmë dhe periudha provash nga tre deri në gjashtë muaj, ku ti duhet të ‘kolaudosh’ veten, duke dhënë prova të plota që ti këtë pozicion e zotëron.

– Edlira, ju jeni HR i FSHF. Ju keni një përgjegjësi për rritjen e burimeve njerëzore dhe kapaciteve menaxheriale dhe të klubeve të futbollit, që janë anëtarët që formësojnë FSHF-n. Çfarë keni bërë ju në këtë drejtim?

Duhet të jem e sinqertë dhe të them që në fillim se puna që ne bëjmë me ta përkthehet në një ritëm të ndryshëm në përthithje nga ai që bëjmë brenda federatës. Ne gjatë procesit të licencimit të klubeve, ku unë jam në të njëjtën kohë edhe ekspertë e kriterit të personelit dhe administratës, kemi vërejtur se kanë problematika me stafet e klubeve si në aspektin administrativ ashtu edhe në atë sportiv. Ne gjithmonë zhvillojmë trajnime dhe në të njëjtën kohë i japim eksperiencat tona sidomos në procesin e licencimit, që është një proces shumë i gjatë dhe voluminoz dhe kërkon angazhim të të gjithë strukturave të klubit, si në aspektin sportiv edhe atë administrativ.

Vlen të përmendet workshopi ndërkombëtar “Sports law and arbitration: a practical perspective on selected legal issues”, një iniciativë shumë e guximshme e Sektorit Juridik për t’i ardhur në ndihmë profesionistëve të së Drejtës Sportive. Europa juridike ishte në Tiranë dhe referuan avokatë me eksperiencë, gjyqtarë të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv dhe drejtorë juridikë e disiplinorë të UEFA-s. Po ashtu kemi zhvilluar një workshop në lidhje me marketingun sportiv dhe marrëdhëniet publike, ku klubeve ju dhanë eksperiencat më të mira ndërkombëtare dhe ju kërkua angazhim për t’i parë këto dy sektorë si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e klubit në drejtimin financiar. Në drejtimet ku klubet vuajnë më shumë në aspektin menaxherial ne tentojmë t’i japim eksperiencat më të mira, në një proces rritjeje për anëtarët tanë që është i pandalshëm, deri në arritjen e standardeve më të larta.

– Ju së fundmi jeni diplomuar në CFM . Sa do ju vlejë personalisht ky certifikim dhe çfarë impakti do ketë në realitetin shqiptar?

Një certifikim shumë i rëndësishëm ndërkombëtar që të jep një ‘tagër’ njohës për mënyrën e menaxhimit në futboll. Fokusi është te menaxhimi, ku një menaxher i lartë duhet të ketë njohuri dhe ekspertizë për të gjithë fushat që prek futbolli. Nga vullnetarizmi, te burimet njerëzore, menaxhimi i operacioneve financiare e juridike, marketing, marrëdhënie publike, sponsorship, organizimin e ndeshjeve në detaje dhe futbollin e femrave. Nëpërmjet CFM-së arrin të njohësh të gjithë proceset e botës së futbollit, ajo që nuk dallohet asnjëherë në televizion ose stadium kur t’i shikon një ndeshje futbolli, ku për të arritur te momenti i fillimit të ndeshjes kanë punuar dhe punojnë me dhjetëra e qindra persona. Të padukshmit. Menaxhimi dhe koordinimi i këtyre elementëve është jetik për të pasur rezultat pozitiv në fund.

Për t’u ndalur te pjesa e dytë e pyetjes, duhet të theksoj se është një diplomë që i vlen çdo menaxheri dhe akoma më shumë atyre që nuk janë të përfshirë 100% në aspektin sportiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat