Simeone: A ka më të mirë se Suarezi për ta vendosur ndeshjen?

Futboll

Simeone: A ka më të mirë se Suarezi për ta vendosur ndeshjen?

Më: 17 maj 2021 Në ora: 10:19
Diego Simeone

Diego Simeone i ka lartësuar lojtarët e vet, e në veçanti Luis Suarezin, në fitoren e jashtëzakonshme të Atletico Madridit 2:1 kundër Osasunas të dielën, e cila e afron vetëm një hap larg titullit të 11-të në historinë e klubit.

Renan Lodi dhe Luis Suarez me nga një gol brenda gjashtë minutave në fund të ndeshjes, e përmbysën rezultatin pasi Ante Budimir e kishte kaluar Osasunan në epërsi paraprakisht në Wanda Metropolitano.

Rezultatet e djeshme të Atleticos dhe Real Madridit nënkuptojnë se titulli në La Liga do të vendoset në ditën e fundit të sezonit 2020/21.

Atletico e viziton Real Valladolidin në ditën e fundit si lidere me 83 pikë, dy më shumë se Real Madridi, dhe do ta fitojë titullin për herë të 11-të në historinë e vet me një fitore eventuale.

“Ekipi bëri paraqitje të madhe pas përpjekjeve ndaj Real Sociedadit. Patëm raste shënimi, por nuk ishim vrastarë derisa Budimir shënoi gol dhe ekipi reagoi. Ne ishim vrastarë kur patëm më pak raste shënimi. Goli i Suarezit ishte i një lojtar të madh”, tha Simeone.

Ky ishte goli i 20-të i Suarezit në sezonin e tij debutues për Atleticon.

“Ai na jep neve status të madh dhe a ka më të mirë se ai për ta vendosur një ndeshje?” theksoi Simeone.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat