Shqipëria U-17 debuton në sfidën me Slloveninë

Futboll

Shqipëria U-17 debuton në sfidën me Slloveninë

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 15:21
Shqipëria U-17 debuton në sfidën me Slloveninë

Kombëtarja shqiptare U-17 ka luajtur ndeshjen e parë në “Torneo delle Nazioni 2021” që po zhvillon edicionin e 17-të në Venecia të Italisë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku u përballën me Slloveninë dhe ndonëse bënë një paraqitje të mirë, nuk arritën të shmangin humbjen me rezultatin 2-0.

Shqipëria U-17 e nis ndeshjen me këtë formacion: Totoshi, Muca, Ramaj, Nuredini, Haxhari, Kurti, Syla, Kasa, Dama, Xhixho, Sulejmani. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Ajeti, Kacurri, Pire, Shtraza, Ageja, Zaganjori dhe Guci.

Përveç një numri të vogël spektatorësh për shkak të kufizimeve të pandemisë Covid-19, i pranishëm në tribunën qendrore të stadiumit ishte edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Edoardo Reja.

Shqipëria e nis ndeshjen mirë dhe në minutën e 6-të ishte lojtari i Interit, Flavio Sulejmani ai që provoi shanset me një goditje, por pa qenë i saktë.

Pak minuta më vonë është Kasa ai që bllokohet saktësisht nga portieri slloven në zonë pas një depërtimi të bukur. Sllovenia reagon, duke u paraqitur para portës kuqezi të mbrojtur nga Totoshi pa shumë rrezikshmëri me pjesën e parë që mbyllet në shifrat 0-0.

Në minutat e para të pjesës së dytë djemtë e drejtuar nga Bulku e nisin sërish mirë, edhe pse kuqezinjtë befasohen dy herë nga talenti slloveni Kasalo, i cili shënon dygolësh në minutat 52 dhe 62.

Tekniku kuqezi bënë disa zëvendësime, duke u dhënë mundësinë plot 7 lojtarëve të tjerë të tregojnë vlerat e tyre, por rezultati nuk do të ndryshonte deri në fund pavarësisht përpjekjeve.

Mbyllet me fitoren e Sllovenisë, ndërsa Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës të premten ndaj Rusisë. Kjo e fundit luajti po sot ndaj Maqedonisë së Veriut, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0.

Slloveni – Shqipëri 2-0

Golat: Kasalo 52’, 62

Shqipëria: Totoshi, Muça, Ramaj, Nuredini (Ajeti 50’), Haxhari (Kacurri 57’), Kurti (Pire 43’), Syla, Kasa (Shtraza 55’), Dama (Ageja 55’), Xhixho (Zaganjori 39’), Sulejmani (Guci 57’).
Trajner: Ervin Bulku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat