Midis Anglisë dhe një titulli

Futboll

Midis Anglisë dhe një titulli

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 13:22
Midis Anglisë dhe një titulli

Në Europianin e organizuar për përdorim dhe konsum të Anglisë, nuk është për t’u habitur që u dha një penallti shumë bujare në favor të kombëtares së drejtuar nga Gareth Southgate. “Tre Luanët” siguruan finale e parë të madhe pas 55 vitesh.

Shumë keq, sepse kjo skuadër kombëtare nuk ka nevojë për ndihmë, por kjo ka ndodhur këtë muaj, me UEFA që shpërfilli ankesat e dy qeverive dhe alarmin e lëshuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përhapjen e Covid-19, shkruan Telesporti.

Pamja e mbrëmshme e “Wembley” tregon se nuk bëhet më fjalë për distancim social, asnjë respektim rregulli të pandemisë globale, e cila ka gjunjëzuar botën prej dy vitesh dhe ka marrë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Pamjet e tifozëve në stadium dhe pastaj në Londër, me festën e shfrenuar, janë sit ë hedhësh valle në gojën e ujkut. Në rastin konkret, në gojën e koronavirusit. Midis Anglisë dhe një titulli që “po kthehet në shtëpi”, sikurse është lejtmotivi i anglezëve, në një turne të luajtur më së shumti në shtëpi, tani është Italia në mes.

Duke parë penalltinë e mbrëmshme, por edhe privilegje të tjera të UEFA-s për “Tre Luanët”, kombëtarja blu ka të drejtë të jetë e shqetësuar. Axurrët kanë 33 ndeshje radhazi të pamposhtur, por trajneri Mancini do të duhet të marrë parasysh dy gjëra: qëndrueshmërinë e kundërshtarit dhe erën politike… Duke imagjinuar atë që ndodhi në orët e përpjekjes për “grusht shteti” ndaj UEFA-s, me krijimin e Superligës Europiane, kryeministri britanik, Boris Johnson hyri në histori si njeriu që shpëtoi futbollin europian nga “lufta e tretë botërore”. Ai ushtroi presion të madh ndaj klubeve angleze, themeluese të atij projekti, të cilët u tërhoqën dhe minuan seriozisht planet e Florentino Perez, Andrea Agnelli dhe Joan Laporta, ende në betejë me UEFA-n për krijesën e tyre, tashmë të vdekur realisht.

Një efekt reciprok qëndron në logjikën e gjërave: Anglia shpëtoi lëkurën e Ceferin, kreut të futbollit europian duke u tërhequr nga Superliga, ndaj meriton shpagim. Penalltia e mbrëmshme tregoi se UEFA e ka me merak kombëtaren angleze, në krah të cilës janë mijërat e tifozëve vendës, në “Wembley”. Edhe ky është një favorizim i hapur në finale të këtij lloji.

Ndoshta nuk duhet të mendojmë keq dhe të jemi mëkatarë, por dyshimi është më mirë sesa të jesh budalla. Europiani përshëndeti Danimarkën, ekipin kombëtar të të gjithëve pas tragjedisë së Eriksen. Për të pati duartrokitje të sinqerta, por edhe një “thikë pas shpine”, referuar penalltisë së mbrëmshme, me dy topa në fushë.

Vlerësimi shpjegohet jo vetëm në terma emocionalë, por edhe në aspektin teknik: “orchestra” e Hjulmand e shtyu Anglinë në kohën shtesë, duke iu përgjigjur goditjes me goditje, në disa faza të lojës duke i vënë në vështirësi zotërit e shtëpisë. Danezët nuk e meritonin të eliminoheshin nga një penallti në kufi të inekzistentes. Me siguri, UEFA, përmes gjyqtarëve në fushë dhe VAR-it inekzistent, i dha një shtyrje drejt kthimit në shtëpi. Radhën e ka Italia, të paktën të ndjehet e frikësuar nga Ceferin me shokë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat