Caktohet data kur fillon stinori pranveror në Superligën e Kosovës

Futboll

Caktohet data kur fillon stinori pranveror në Superligën e Kosovës

Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 17:36
Caktohet data kur fillon stinori pranveror në Superligën e Kosovës

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, e  ku diskutoi për shumë çështje në futbollin  e Kosovës. KE analizoi rrjedhën e garave që tashmë janë në përmbyllje të stinorit vjeshtor me konstatimin  se garat kanë pasur rrjedhë mjaft  të mirë, falë edhe angazhimit të të gjithëve e që ndihmë ta madhe ka dhënë aplikimi i sistemit të VAR-it.

KE shqyrtoi dhe miratoi edhe buxhetin e FFK-së për vitin 2022 e që është buxhet ambicioz, e ku njëkohësisht e miratoi edhe Udhëzuesin financiar, dokument ky mjaft i rëndësishëm për funksionimin e Sektorit të financave të FFK-së.

KE shqyrtoi ecurinë e zhvillimit të ndeshjeve dhe angazhimin e trajnerëve e të gjitha ekipeve zinxhirë të Kombëtares. Ndërsa, presidenti Ademi theksoi nevojën e domosdoshme të një pune më të madhe të të gjithë trajnerëve për të arritur objektivat.

Tutje KE diskutoi për procesin zhvillimor dhe miratoi Programin zhvillimor për grup-moshat e reja si TIPS elite. Po ashtu KE diskutoi dhe miratoi vazhdimin e projektit të Kampit Nacional Edukativ në Hajvali. Do të vazhdohet me ndërtimin e fushave stërvitore nëpër qendrat  e Kosovës, aty ku tash mungojnë, edhe pse shumica e projekteve tashmë janë kryer. Do të vazhdohet edhe me projektin për ndërtimin Qendrës stërvitore në Batllavë, si dhe do të punohet në ndërtimin e stadiumit që do t’u shërbejë për aktivitet edhe fëmijëve me nevoja të veçanta në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Turqisë.

KE diskutoi edhe për hartimin e Draft-Akteve normative si Statutin dhe aktet tjera të nevojshme si dhe formatet e kontratave të punës, e që ndihmë të madhe kanë dhënë ekspertët nga UEFA dhe FIFA, të cilët qëndruan për vizitë pune 4 ditore në FFK.

KE shqyrtoi edhe përgatitjet për shpalljen e laureatëve për Vitin 2021, duke konstatuar se përgatitjet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.

KE mori vendim që garat në stinorin pranveror të fillojnë me ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës më 5 e 6 shkurt 2022, ndërsa BKT Superliga do të rinisë më 12 e 13 shkurt dhe Viva Fresh Liga e Parë më 19 e 20 shkurt. Garat në BKT Superligë do të përfundojnë më 22 maj, ndërsa në Viva Fresh Ligën e Parë më 15 maj. Ndërkaq, në konkurrencën e femrave garat e stinorit pranveror do të fillojnë më 16 shkurt me ndeshjet e Kupës, ndërsa ndeshjet kampionale më 19 e 20 shkurt.

KE falënderon UEFA dhe FIFA për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme sidomos për programin Hat-trik dhe instalimin e VAR-it. Po ashtu KE falënderon MKRS për bashkëpunim dhe mbështetje dhe ndërtimin e infrastrukturës në fushat e futbollit dhe shpreson që në vitin tjetër do të vazhdojë të ndërtojë edhe fusha tjera të mbetura aty ku ka nevojë.

KE falënderon ish-kryetarët dhe kryetarët e posazgjedhur të komunave për bashkëpunim dhe mbështetje në përmirësimin e infrastrukturës dhe një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

KE shqyrtoi edhe Ankesat  dhe Parashtresat drejtuar  këtij organi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat