Villareali fiton bindshëm

Futboll

Villareali fiton bindshëm

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 22:01
Villareali fiton bindshëm

Villareali i Unai Emery është në superformë. Nëndetsja e verdhë regjistroi fitoren e 5-të radhazi në të gjitha kompeticionet dhe të 3-ën në La Liga  pasi mposhti me rezultatin e thellë 5:2 Deportivo Alaves në sfidën e prapambetur të javës së 4-të të kampionatit spanjoll.

Sfida e Estadio de la Ceramica nisi në mënyrën më të mirë për Villarealin që zhbllokoi shifrat në minutën e 18-të me anë të të përhershmit Gerard Moreno. Gjithçka u bë më e thjeshtë për Villarealin në minutën e 27-të kur senegalezi Boulaye Dia shënoi edhe të dytin për vendasin pas topit që mori nga Trigueros.

Gjithsesi nuk ishte e thënë që Villareali të flinte i qetë në këtë duel dhe gjërat u bënë më interesante në fundin e pjesës së parë kur Pons ngushtoi shifrat.

Atëherë kur asksush se priste Alaves barazoi rezultatin në minutën e 65-të pas një gafe të rëndë të Pau Torres që pasoi gabimisht te Joselu ndërkohë me shumë faj ishte edhe portieri Rulli që çuditërisht kishte braktisur portën.

Gjithsesi festa e skuadrës baske zgjati vetëm 11 minuta pasi Dia i asistuar nga Parejo shënoi golin e dytë personal dhe të 3-in për Villarealin. 3 minuta më vonë Pino i çoi shifrat në 4-2 duke vulosur suksesin e nëndetses së verdhë ndërkohë që Gerard Moreno sigloi triumfin përfundimtar të Villarealit me rezultatin 5:2 në një ndeshje të dominuar nga skuadra e Unai Emery që me këtë sukses u ngjit në vendin e 9-të në kuotën e 25 pikëve, ndërkohë që Alaves mbetet në vendin e 18-të me 15 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat