Brdariç qorton sulmin e Vllaznisë

Futboll

Brdariç qorton sulmin e Vllaznisë

Më: 29 janar 2022 Në ora: 15:01
Brdariç qorton sulmin e Vllaznisë

Thomas Brdaric foli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së radhës në kampionat. Kalendari e vendos Vllazninë përballë krutanëve të vendit të fundit, por me tjetër fytyrë në janar. Distanca nga kreu është 10 pikë aktualisht, thellimi i saj do t’i ndërlikonte gjërat për kuqeblutë, sepse nesër mbyllet gjysma e parë e Superiores. Pra, laku sa vjen e ngushtohet kur është puna për të rikuperuar pikët e lëna rrugës. Brdaric apeloi të tijtë:

“Ne përpiqemi të marrim maksimumin nga çdo ndeshje, njësoj do të veprojmë edhe nesër. Kastriotin e kemi marrë shumë seriozisht. Kemi punuar shumë dhe mendojmë për rezultatin pozitiv. I rëndësishëm është çdo dyluftim dhe top i fituar në fushë, ndaj një kundërshtari që ka treguar rritje në janar.

Kastrioti ndodhet në një moment të mirë. Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme, si një finale. Edhe për krutanët është e njëjta situatë. Ne do të marrim më të mirën.

Probleme në qendër të mbrojtjes? Nesër kemi edhe Adilin, që është kthyer nga pezullimi. Normalisht do të aktivizojmë formacionin më të mirë  të mundshëm. Diagne është bërë baba dhe ka leje nga klubi. E urojmë për këtë gjë, e presim në ditët në vijim.

Merkatoja e janarit? Jemi në punë për të dhënë maksimumin. Ne përpiqemi për të marrë më të mirën nga lojtarët në dispozicion, për të tjerat mendojnë presidenti dhe drejtori. Duhet t’u japim mundësitë lojtarëve që kemi në skuadër.

Nesër mbyllet gjysma e kampionatit. Çdo ndeshje që kalon dhe çdo pikë që lëmë rrugës na vret. Kemi luajtur mirë deri tani, por me finalizimet nuk jemi aty ku duhet. Shpresoj të përmirësohemi në këtë drejtim dhe do të kemi ecuri rezultative më mirë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat