Gjimshiti: Për mua do të thotë shumë të jem pjesë e Atalantës

Futboll

Gjimshiti: Për mua do të thotë shumë të jem pjesë e Atalantës

Më: 3 mars 2022 Në ora: 12:45
Gjimshiti: Për mua do të thotë shumë të jem pjesë e Atalantës

Berat Gjimshiti është një nga mbrojtësit më të mirë që kombëtarja shqiptare ka në gjirin e saj.

29-vjeçari është kthyer në një pikë kyçe me kombëtaren por gjatë dy viteve të fundit është në lojtarë i padiskutueshëm edhe në formacionin e Atalantës.

Lideri i mbrojtjes ka fituar edhe respektin e trajnerit Gian Piero Gasperini, me paraqitjet e tij, teksa shpesh herë ka bërë edhe rolin e një “goleadori”.

Gjimshiti ka dhënë një intervistë për “Proper Football” ku është rrëfyer për gjithçka, nga fëmijëria, te kombëtarja dhe pengu i vitit 2020, i cili është eliminimi nga PSG në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve dhe për trajnerin Gasperini.

“Para se të bëja pjesë në radhët e Atalantës, aktivizohesha në Zvicër me Zurich. Por, erdhi një moment dhe e kuptova se nuk po arrija të përmirësohesha ashtu si e kisha menduar. Kështu, u “shtrëngova fort” pas mundësisë për t’u transferuar në Itali, ku sigurisht në fillim nuk ishte aspak e lehtë. Kjo sepse isha vetëm 22-vjeçar dhe nuk gjeja shumë hapësira ndërsa skuadra nuk kishte një ecuri të mirë. Është e paimagjinueshme se sa jam përmirësuar dhe sa është rritur skuadra në këto vite.

Pasioni për futbollin? Kam nisur të luaj futboll në moshën pesëvjeçare në vendin ku unë jetoja me familjen. E dija se kisha pak talent dhe me kalimin e kohës kuptova se doja të bëhesha një profesionist, isha i vogël dhe si të gjithë kisha shumë ëndrra.

Për mua do të thotë shumë të jem pjesë e Atalantës, jemi rritur shumë si skuadër dhe individualisht si lojtarë, kemi arritur rezultate të mëdha. Jo vetëm për Atalantën, por edhe për Bergamon duke qenë se asnjëherë më parë nuk ishin bërë pjesë të Champions League. Ne lojtarët këtu në Bergamo ndjehemi të rëndësishëm edhe jashtë fushës së blertë dhe moto është e thjeshtë: “Fanella duhet djersitur gjithnjë”.

Trajneri Gasperini- “Është shumë i ashpër dhe kërkon gjithnjë maksimumin, është gjithnjë në kërkim të një aspekti për t’u përmirësuar. Kjo më ka ndihmuar shumë mua, por edhe lojtarët e tjerë.

Viti më i bukur? Në vitin 2020 kishim shumë suksese, por u mposhtëm në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve ndaj PSG, një skuadër e madhe e përbërë nga lojtarë të mëdhenj. Por, u larguam duke ditur se kishim arritur diçka të rëndësishme, ne mund të fitonim, por ata na shënuan dy herë në fund. Nga kjo humbje mësuam se që duhet të jemi gjithë kohën të përqendruar sidomos ndaj skuadrave të mëdha dhe nuk mund të gabosh në asnjë detaj, ndryshe ndëshkohesh. Duhet të japësh 100% nga fillimi në fund.

Kombëtarja? Emocionin e të luajturit në kombëtare është e vështirë ta përshkruash, fjala e parë që më vjen ndër mend është krenari. E di se të gjithë po të shohin, përfaqëson të gjithë Shqipërinë dhe jam i lumtur që e bëj këtë. Ne jemi duke u rritur si skuadër”.

Familja- “Është ajo për të cilën jetoj, besoj kështu është për të gjithë. Tani që kam edhe një fëmijë ka ndryshuar gjithçka, ka diçka më të rëndësishme se unë dhe kjo do të thotë shumë. Pastaj është gruaja ime që është gjithmonë përkrah meje, jam shumë i lumtur me familjen dhe e di se nuk është e lehtë për një futbollist. Menaxhimi i kohës nuk është i lehtë, sidomos nëse janë edhe Kupat e Europës në mesjavë. Është e vështirë të kesh kohë për vete, më ka pëlqyer të luaj PlayStation, por tani qëndroj gjithnjë me familjen sa herë kam një ditë të lirë”, u shpreh Gjimshiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat