Një skuadër befasi, favorite për titullin kampion

Futboll

Një skuadër befasi, favorite për titullin kampion

Më: 5 prill 2022 Në ora: 17:46
Një skuadër befasi, favorite për titullin kampion

Fenomeni Leicester tërhoqi vëmendjen e botës së futbollit në sezonin 2015-2016, pasi “dhelprat” e drejtuara nga Claudio Ranieri, erdhën nga Championship dhe që në vitin e parë në Premier League, ia dolën të shpallen kampionë.

Pa emra të njohur në ekip, klubi anglez ia doli të befasojë të gjithë skuadrat e mëdha dhe të shfaqej si një surprizë e bukur, teksa historia është drejt përsëritjes këtë sezon në kampionatin elitar të Belgjikës.

Bëhet fjalë për skuadrën e Royal Unione Saint-Gilloise, që verën e kaluar u rikthye në Jupiler League pas 50 vitesh në ligat më të ulëta dhe që në sezonin e parë, ia doli të renditet në vendin e parë në kampionat.

Skuadra e ardhur rishtazi në elitë, ka lënë pas vetes emra të mëdhenj të futbollit belg si Anderlecht, Club Brugge, Gent e Genk, teksa një javë para fundit të kampionatit, kryeson me 74 pikë, 5 më tepër se vendi i dytë.

Pas javës së fundit, 6 skuadrat që renditen të parat, shkojnë në fazën Play Off, ku pikët u përgjysmohen dhe shpresat e Saint-Gilloise janë që të arrijë të bëjë surprizën, duke fituar titullin kampion.

Shifrat konfirmojnë se skuadra e Saint-Gilloise është favorite kryesore, pasi ka një dyshe sulmuese të përbërë nga Dennis Undav (25 gola), i cili është blerë nga Brighton dhe është lënë në huazim deri në fund të sezonit dhe Dennis Vanzeir (13 gola), i cili ka marrë ftesë edhe nga përfaqësuesja e Belgjikës.

Megjithatë faza Play Off ofron një kalendar mjaft të vështirë me përballje direkte mes më të mirave, ndaj te Saint-Gilloise po përgatiten për sprintin final, që mund t’i bëjë të shkruajnë historinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat