Bejtullai: Ndaj Rabotniçkit presim të marrim trepikëshin

Futboll

Bejtullai: Ndaj Rabotniçkit presim të marrim trepikëshin

Më: 30 prill 2022 Në ora: 11:42
Bejtullai: Ndaj Rabotniçkit presim të marrim trepikëshin

Ditën e shtunë (sot) Shkëndija në Stadiumin e Qytetit në Tetovë me fillim në orën 17:00 do të luajnë ndaj ekipit të Rabotniçkit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tridhjetë të LPFMV-së.

Në këtë ndeshje kuqezinjtë nisen me misionin e vetëm, të përsërisin lojën bindëse të treguar në xhiron paraprake, dhe të vazhdojnë me fitore në përballjet që kanë ngelur deri në përfundim të kampionatit.

Në ndeshjen e fundit në mes të dyja skuadrave, kuqezinjtë u mundën në Shkup nga “romantikët” me rezultatin 2:1.

Ndërsa sa i përket historikut, statistikat flasin bindshëm në favor të kuqezinjve që nga gjithsej 65 ndeshje kanë shënuar 33 fitore, Rabotniçki ka 19 fitore, ndërsa 13 ndeshje kanë përfunduar me barazim.

Egzon Bejtullai, tha:  “Tani kur i afrohemi fundit të kampionatit çdo ndeshje është e rëndësishme.

Në ndeshjen e fundit e dominuam totalisht kundërshtarin dhe fatmirësisht edhe në finalizim ishim konkretë duke shënuar tre gola. Kampionati bëhet edhe më i ngjeshur për shkak se gjatë mesjavës do të kemi ndeshje tjetër të rëndësishme në transfertë.

Por skuadra është mirë e përgatitur dhe me motivacion të lartë presim të futemi në këto ndeshjet e fundit që kanë ngelur deri në përfundim të kampionatit. Ndaj Rabotniçkit presim të marrim trepikëshin dhe pastaj të vazhdojmë më tej me ecurinë e fitoreve”.

Arbitër kryesor i takimit do të jetë Igor Ivanov nga Velesi, do t’i ndihmojnë Kushtrim Lika nga Kërçova dhe Petar Novaçev nga Velesi, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Nikolla Ivanov, poashtu nga Velesi.

Të rejat në skuadër:

Mbrojtësit Manevski dhe Krivak kanë plotësuar numrin e kartonave të verdhë dhe në këtë ndeshje nuk do të jenë pjesë e skuadrës. Lojtarët tjerë janë të gatshëm për lojë.

Kundërshtari:

Rabotniçki

Pozita momentale: Rabotniçki gjendet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit, me 37 pikë të tubuara.

Ecuria: Rabotniçki në pesë xhirot e fundit në ligë ka 2 fitore dhe 3 humbje. Në ndeshjen e fundit në ligë u mund në terren vendas nga ekipi i Skopjes. Kur kanë ngelur edhe katër xhiro deri në përfundim të kampionatit, Rabotniçki matematikisht akoma nuk ka shpëtuar nga zona që shpie në ndeshjet playoff për rënie nga liga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat