Shqipëria mundet me penallti nga Kosova

Futboll

Shqipëria mundet me penallti nga Kosova

Më: 5 maj 2022 Në ora: 14:57
Shqipëria mundet me penallti nga Kosova

Shqipëria U-16 për femra ka zhvilluar këtë të enjte sfidën e dytë kundër Kosovës e vlefshme për turneun “UEFA Development U-16” për femra. Në ndeshjen e luajtur në “Qendrën Sportive Kombëtare” në Kamëz, vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Agustin Kola kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë, teksa e mbyllën kohën e rregullt të ndeshjes me barazimin 2-2, ndërsa humbja erdhi nga penalltitë.

Trajneri Kola hodhi në fushë këtë formacion: Amelja Mone, Laura Bari, Klevisa Ndoci, Amelia Reshiti, Rosela Vasa, Bora Bushati, Xhejsana Disha, Klesta Ago, Era Methoxha, Xhesika Ndoj, Erika Nushi.

Loja nisi mirë për vajzat kuqezi, të cilat zbresin disa herë në zonën kundërshtare, por nuk arrijnë të gjejnë saktë rrugën e rrjetës. Në minutën e nëntë, Kosova ndëshkon skuadrën kuqezi, duke kaluar e para në avantazh. E megjithatë, skuadra e drejtuar nga Agustin Kola nuk dorëzohet, por tenton menjëherë të reagojë, teksa gjashtë minuta nga epërsia e mikeve, është Klesta Ago ajo e cila i dhuron ekipit kuqezi barazimin e përkoshëm.

Një faull i shfrytëzuar mjaft mirë nga Shqipëria, me Era Methoxhën e cila kroson në zonë dhe Ago që e dërgon topin në rrjetë me kokë. Vajzat kuqezi nuk ndalen me kaq, por tentojnë edhe disa raste të tjera, duke gjetur edhe golin e avantazhit me një super goditje nga jashtë zone të realizuar nga Xhejsana Disha në minutën e 27-të. Festë në kampin kuqezi, me skuadrën që kërkon më tepër, por e mbyll pjesën e parë me rezultatin 2-1.

Me nisjen e fraksionit të dytë, skuadra e nis sërish shumë mirë, teksa kërkon të vulosë rezultatin, por janë miket ato që shfrytëzojnë bukur një rast në zonën tonë, duke barazuar shifrat në 2-2.

Vajzat kuqezi vihen në kërkim të golit të fitores, me disa raste të krijuara, duke u future disa herë në zonë, por nuk finalizojnë dot, me kohën e rregullt që mbyllet me këtë rezultat. Sipas rregullit të turneut, secila ndeshje duhet të ketë një fitues, e për këtë arsye, skuadrat iu drejtuan pikave të bardha të penalltive, me Kosovën që në këtë rast u tregua më e saktë, duke mundur Shqipërinë 6-5.

Tashmë, ekipi i drejtuar nga Agustin Kola renditet në vendin e dytë, me 3 pikë të grumbulluara në dy ndeshje, teksa ë vendin e parë renditet Kosova me 6 pikë të plota. Në vendin e tretë e të katërt renditen Kazakistani e Mali i Zi, që do të luajnë sot me njëra-tjetrën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat