Shpërthen Guardiola

Futboll

Shpërthen Guardiola

Më: 8 maj 2022 Në ora: 11:43
Shpërthen Guardiola

Pep Guardiola i ka bërë një mbrojtje të plotë Mançester Sitit pas eliminimit dramatik në gjysmëfinalen e Championsit në mesjavë. Trajneri tha se nuk ka folur ende me lojtarët pas zhgënjimit me Realin e Madridit dhe do t’u drejtohet atyre për herë të parë ditën e sotme.

“Ne nuk kemi folur me lojtarët, asnjë fjalë nuk mund të të ndihmojë për atë që ne të gjithë ndiejmë. Është thjesht një çështje kohe, duhet të flesh sa më mirë që të jetë e mundur dhe të mendosh për objektivin e radhës.

Kam ndjesinë se njerëzit nga Abu Dhabi (pronarët) e blenë këtë klub dhe investuan në këtë infrastrukturë me lojtarë të pabesueshëm, siç bënë shumë klube të tjera në botë, jo vetëm për të fituar Champions-in.

Klubi nuk më ka kërkuar kurrë që të fitoj ndonjë trofe. Ata më kërkuan të luaj sa më mirë që të jetë e mundur, për të konkurruar me të gjitha ekipet në Angli dhe në Europë. Është krejtësisht e kundërta e asaj që mendojnë njerëzit.

Ndoshta unë nuk jam mjaftueshëm i zoti për të ndihmuar skuadrën që ta arrijë këtë. Askush nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur me lojtarë apo trajnerë të tjerë”, tha 51-vjeçari përpara ndeshjes me Njukasëllin ditën e diel, duke lëshuar edhe një mesazh për ata që mendojnë se nëse ai dhe ky grup lojtarësh nuk fitojnë Ligën e Kampioneve, atëherë janë një dështim.

“Njerëzit thonë se nëse ky grup lojtarësh nuk do të fitojë Champions-in, ata do të jenë një dështim. E pranoj këtë, por nuk bie dakord absolutisht. Në sport ne e dimë se sa e vështirë është gjithçka, por e pranoj. Nuk do të bëj një debat se cili ka të drejtë dhe cili gabim”. Dhe ai nuk u ndal me kaq:

“Kur të fitojmë Champions-in dhe shpresojmë që ta bëjmë, do të thonë se e bëmë se kemi shpenzuar shumë. Nuk do të konsiderohet puna e bërë prapa kuintave.

Ne jemi i vetmi klub në botë që në 10- 15 apo 20 vitet e fundit që shpenzojmë para. Tani njerëzit thonë se na mungon karakteri. Mungesë karakteri? Çfarë do të kishte ndodhur në rast se Grilish do t’i kishte shënuar ato dy gola? Çfarë është karakteri? Me Atletikon, kur Korrea goditi dhe Ederson priti, tani është karakter. Nëse Korrea do të kishte shënuar nuk kemi karakter.

E di që njerëzit jashtë klubit kërkojnë vetëm Champions-in, Champions-in, Champions-in… e dimë këtë. Ata e dinë që ishim shumë pranë, ne e dimë. Por ajo që është e rëndësishme është se ne do të përpiqemi sërish sezonin tjetër dhe pastaj përsëri. Tani kemi Premier Ligën në dorën tonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat