Shtatë lojtarët që priten të largohen nga Interi

Futboll

Shtatë lojtarët që priten të largohen nga Interi

Më: 24 maj 2022 Në ora: 14:53
Shtatë lojtarët që priten të largohen nga Interi

Me përfundimin e sezonit, Interi ka nisur menjëherë punën për sezonin e ardhshëm.

“Do të rikthehemi më të fortë”, premtonte Simone Inzagi pas ndeshjes së fundit dhe zikaltrit kanë nisur projeksionet. Por ndërkohë që pritet të ndërhyhet në merkato, ka ardhur koha që një pjesë e konsiderueshme e organikës të lërë Milanon.

Politikat e klubit për të reduktuar pagesat e lojtarëve me 15% kanë ndikuar jo pak në manovrat që Interi do të bëjë gjatë kësaj vere, atëherë kur 7 lojtarë pritet të lënë “Pinetina”-n, lëvizje që do të prekin të gjitha repartet.

Duke nisur nga porta, Radu do të lërë skuadrën në kërkim të më shumë minutave, për më tepër që klima tek Interi pas atij gabimi me Bolonjën nuk është optimalja për të.

Në mbrojtje do të jenë Andrea Ranokia dhe Aleksandër Kolarov emrat që do të largohen, me serbin që në moshën 36- vjeçare po mendon të varë këpucët në gozhdë.

Dy të larguar do të ketë edhe në mesfushë, aty ku Matias Vesino dhe Arturo Vidal duket se e kanë zgjedhur tashmë të ardhmen e tyre. Uruguaiani në skadencë kontrate pëlqehet nga Lacio e Sarrit, ndërkohë që kiliani edhe pse ka edhe një vit kontratë, mund të shfrytëzojë klauzolën për ta ndërprerë një vit më herë dhe për t’iu bashkuar Flamengos në Brazil.

Eksodi do të prekë edhe repartin ofensiv, aty ku Aleksis Sançez dhe Felipe Kaisedo nuk do të jenë më në urdhrat e Inzagit. Kiliani ka të njëjtën situatë kontraktuale si bashkëkombësi i tij, por e ardhmja e tij mund të jetë në Spanjë ku shumë klube janë vendosur në ndjekje të tij.

Ndërkohë, kolumbiani i huazuar nga Xhenoa, që ka luajtur vetëm 8 minuta në total, do ta ndërpresë aventurën e tij zikaltër.

Me lamtumirën e Sançezit dhe Vidalit, që momentalisht janë dy më të paguarit e skuadrës, bashkë me 5 lojtarët e tjerë, Interi do të kursejë rreth 35 milionë eurosh bruto që për një klub që në total paguan 150 milionë euro për pagat, vlen 23% të tyre, duke kontribuar kështu në përmbushjen e planeve financiare të klubit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat