FSHF, seleksionime në Gjermani e Itali

Futboll

FSHF, seleksionime në Gjermani e Itali

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 22:41
FSHF, seleksionime në Gjermani e Itali

Drejtoria e Ekipeve Kombëtare në FSHF do të organizojë në muajin dhjetor seleksionime me lojtarë të vitlindjeve 2005-2006-2007-2008-2009, të cilët luajnë futboll në Itali dhe në Gjermani. Prej kohësh kjo drejtori në bashkëpunim me skautët e FSHF-së nëpër Europë kanë evidentuar dhe monitoruar futbollistë të vegjël shqiptarë që jetojnë me familjet e tyre në këto vende dhe që paraqesin potencial për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave kuqezi.

Këto seleksionime, që do të organizohen dhe ndiqen nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave dhe specialistët e futbollit në FSHF, janë një mundësi shumë e mirë për të vëzhguar nga afër lojtarë të talentuar që janë evidentuar gjatë kësaj kohe dhe u japin këtyre lojtarëve shansin për të treguar vlerat.

Seleksionimi i parë do të zhvillohet në qytetin e Frankfurtit në Gjermani (adresa: Falkensteiner Str. 26, 61462 Königstein im Taunus) më datë 17 dhjetor 2022, duke filluar nga ora 10:00. Ndërsa seleksionimi i dytë do të organizohet në Milano (adresa: Via Enrico de Nicola 3) më datën 19 dhjetor 2022 dhe do të nisë po në ora 10:00, në një kohë që Drejtoria e Ekipeve Kombëtare në FSHF ka përpiluar në bashkëpunim me skautët edhe listat e lojtarëve të ftuar në këto dy seleksionime.

Në periudhën në vazhdim FSHF do të organizojë edhe seleksionime të tilla në vende të tjera të Europës, ku jetojnë komunitete shqiptarësh dhe ku FSHF ka skautët e saj që kujdesen për të zbuluar lojtarë të talentuar.

Ky është proces që FSHF e ka nisur prej shumë vitesh, por që ishte ndërprerë për pak kohë për shkak të pandemisë, ndonëse puna nuk është ndalur për asnjë çast dhe skautët e FSHF-së nëpër Europë kanë monitoruar vazhdimisht lojtarët e talentuar shqiptarë që aktivizohen në klube të huaja.

Vitin e kaluar Drejtoria e Ekipeve Kombëtare në FSHF organizoi edhe një seleksionim në Padova të Italisë ku morën pjesë 54 lojtarë të rinj shqiptarë të vitlindjes 2004, 2005, 2006, të cilët aktivizohen me ekipe në Itali dhe Austri. Përveç trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave, në këtë seleksionim ishin të pranishëm edhe trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja dhe zv.trajneri i Kombëtares, Sergio Porrini.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat