Teuta mposht Partizanin

Futboll

Teuta mposht Partizanin

Më: 26 janar 2023 Në ora: 17:58
Teuta

Partizani harron si fitohet. “Të kuqtë” e drejtuar nga Giovanni Colella nuk marrin tre pikët që prej 21 dhjetorit në derbin ndaj Tiranës, teksa pasditen e sotme janë mposhtur në shtëpi 0-2 nga Teuta.

Në sfidën kur pritej kthesa dhe tentativa për të rimarrë kreun, kryeqytetasit zhgënjyen totalisht përballë një Teute që nën drejtimin e Edi Martinit ka rilindur dhe jo vetëm i është larguar fundit, por po sheh edhe nga Europa.

Dy gola “ish”-ësh hodhën në tapet Partizanin, teksa në pjesën e parë ishte Albion Marku që lëshoi një goditje spektakolare me të majtën dhe ndali topin në trekëndëshin e portës së Alban Hoxhës.

Më pas në të dytën ishte radha e fantazistit Sherif Kallaku, i rikthyer te Teuta vetëm pak ditë më parë, që të shënonte edhe golin e dytë, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë, me një ekzekutim të saktë.

Me këtë fitore, “Djemtë e detit” ngjiten në kuotën e 21 pikëve, vetëm 5 më pak se Egnatia e vendit të katërt, teksa vlen të theksohet se nën drejtimin e Edi Martinit, Teuta ka marrë 13 pikë nga 18 pikë të mundshme.

Nga ana tjetër, Partizani vijon të lëshojë terren dhe me një pikë në tre ndeshjet e fundit, jo vetëm që ka lëshuar kreun, por i ka dhënë “asist” Tiranës që të shkëputet edhe më shumë, nëse merr maksimumin ndaj Erzenit mbrëmjen e sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat