Drejt derbit të Madoninës

Futboll

Drejt derbit të Madoninës

Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 14:15
Drejt derbit të Madoninës

18 ditë. Pak më pak se tri javë dhe ka sërish një derbi në Milano.

Pas ndeshjes së luajtur 4000 kilometra larg, në Arabinë Saudite, këtë herë Interi dhe Milani do të përballen në një “San Siro” të mbushur plot, biletat janë shitur prej javësh, sepse bëhet fjalë për një ndeshje me peshë specifike të lartë për sezonin e dy skuadrave.

Në lojë është një copë kualifikimi në Champions League, si dhe supremacia e qytetit, pa harruar faktorin mental.

Dy skuadrat vijnë në ndeshje në situata krejtësisht të kundërta dhe rezultati mund të ndikojë në humorin e dy dhomave të zhveshjes, duke ndikuar edhe në ndeshjet vijuese.

Në një moment vendimtar të sezonit, renditja po merr formë dhe Champions League rikthehet me 1/8 finale.

Pas suksesit të qartë 3-0 të Riadit, i cili dhuroi trofeun e parë të sezonit, Interi i Simone Inzaghit dëshiron të konfirmojë veten dhe t’i rikthehet fitores së derbit edhe në kampionat, duke rrëzuar tabunë e fitores që i mungon që prej asaj kohe, shkurt 2021.

Në derbin e fazës së parë ishin kuqezinjtë, ata që mbizotëruan me rezultatin 3-2, falë dy golave ​​të Leao dhe një të Giroud.

Zikaltrit do të përballen me një Milan të plagosur nga disfata në derbi, në Superkupën e Italisë, ndërsa po kalojnë një periudhë shumë të vështirë.

Në tri ndeshjet e fundit, kuqezinjtë kanë pësuar 12 gola, ndërsa nëse zgjerojmë diapazonin, ata nuk kanë fituar në gjashtë ndeshje (2 barazime dhe 4 humbje), nga të cilat dy të fundit kundër Lazios (4-0) dhe Sassuolo (5-2).

Risi tek Interi është rikthimi i Milan Skriniar në fushë, nga minuta e parë. Mbrojtësi sllovak, që mungoi ndaj Cremonese për shkak të pezullimit dhe kundër Atalanta në Kupën e Italisë, do të rifillojë vendin e tij në mbrojtjen me tre lojtarë, të kompletuar nga Acerbi dhe Bastoni.

Një provë e rëndësishme për ish-kapitenin, i zhgraduar pas refuzimit të rinovimit të kontratës dhe nënshkrimit të marrëveshjes që do ta lidhë atë me PSG-në duke filluar nga 1 korriku i ardhshëm.

Skriniar do të duhet të tregojë se e ka lënë tashmë pas “telenovelën” e merkatos me negociatat për transferimin që në janar te klubi parizien, për t’u përqendruar totalisht deri në fund të sezonit tek Interi.

Simone Inzaghi fokusohet te siguritë dhe lë të hapur vetëm një balotazh në kuadër të ndeshjes kundër Milanit, e vlefshme për javën e 21-të të Serie A. Dyshimi ka të bëjë me sulmin, me Edin Dzeko aktualisht përpara Romelu Lukakut për një fanellë titullari pranë Lautaro Martinez.

Matteo Darmian, fituesi i ndeshjes kundër Atalantës dhe që sapo ka rinovuar, do të luajë në të djathtë, me Dimarco në anën tjetër dhe dyshen Mkhitaryan-Barella në anët e Calhanoglu.

Te Milani, Stefano Pioli synon të ndryshojë sistemin e lojës. Trajneri kuqezi është gati të braktisë përkohësisht 4-2-3-1 për të kaluar te 4-3-3. Një zgjedhje që bie erë refuzimi për mesfushorët sulmues Brahim Diaz dhe Charles De Ketelaere.

Ideja e trajnerit kuqezi është të përforcojë mesfushën duke aktivizuar Krunic, Tonali dhe Pobega në të njëjtën kohë, me Saelemaekers (përpara Messia) dhe Leao në krahët e Giroud.

Në mbrojtje, Kjaer rikthehet për t’u bashkuar me Kalulu, ndërsa Calabria dhe Theo Hernandez do të veprojnë në korsitë e jashtme, duke kompletuar prapavijën përpara Tatarusanu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat