Carlo Ancelotti vazhdon të vendosë rekord

Futboll

Carlo Ancelotti vazhdon të vendosë rekord

Më: 5 shkurt 2023 Në ora: 14:16
Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti vazhdon të vendosë rekord pas rekordi me Realin e Madridit.

Suksesi ndaj Valencias të enjten në mbrëmje ishte jubilar për trajnerin e “Los Blancos”.

Reali mundi Valencian 2-0 në një takim të dominuar tërësisht, me skuadrën e Ançelotit që iu kthye suksesit me lojë të bukur e argëtuese.

Lojtarët në fushë i kanë bërë një dhuratë të veçantë trajnerit të tyre, teksa fitorja ndaj Valencias ishte e 150-ta për të në drejtimin e Realit të Madridit në 206 takime.

Suksesi jubilar i Ançelotit e bën trajnerin italian si teknikun e tretë në historinë e Madridit me më shumë fitore.

Para tij qëndrojnë Zinedin Zidan, i cili ka fituar 172 takime nën drejtimin e “Los Blancos”, teksa i paarritshëm duket Migel Munjoz, i cili ka fituar 357 ndeshje si timonier i “Los Blancos”.

Ançeloti ka fituar në çdo kompeticion që ka drejtuar Realin e Madridit. Natyrisht që numri më i madh i sukseseve është në La Liga, me italianin që numëron 97 suksese.

Më tej janë 32 fitore në Ligën e Kampioneve, 15 në Kupën e Mbretit, 2 në Botërorin e Klubeve, 2 në Superkupën e Spanjës dhe po kaq në Superkupën e Europës.

Pas arritjes së triumfit numër 150 me Realin e Madridit, klubi kampion në Spanjë nuk ka harruar ta përgëzojë teknikun e vet me anë të një mesazhi në rrjetet sociale.

Po ashtu nuk ka munguar as komenti i trajnerit italian, i cili ka zgjedhur profilin e tij në “Instagram” për të premtuar të tjera suksese me ekipin në këtë sezon.

“Tashmë është fakt, janë 150 fitore në 206 ndeshje. Sigurisht që nuk është fundi, do të vazhdojmë të fitojmë. Përpara Madridi”, ka shkruar Ancelotti.

Ndërkaq, pas suksesit kundër Valencias, Reali i është kthyer menjëherë përgatitjeve, teksa sot pasdite do të përballet me Majorkën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat