Një minutë në pesë ndeshjet e fundit

Futboll

Një minutë në pesë ndeshjet e fundit

Më: 7 mars 2023 Në ora: 12:08
Kristjan Asllani

Një minutë në pesë ndeshjet e fundit ka pasur në dispozicion Kristjan Asllani, që duket tashmë i zhdukur nga radarët e Simone Inzagit.

Prej një muaji, trajneri nuk e ka preferuar, jo vetëm si titullar, por as si alternativë, duke e vendosur të fundit në hierarkinë e mesfushës.

Aktivizimi i Roberto Galjardinit para tij ndaj Leçes, edhe pse largimi i italianit në fund të sezonit është i sigurt, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për të ardhmen e elbasanasit dhe raportin e tij me trajnerin.

Jo më kot në fund të ndeshjes, 46-vjeçari u pyet konkretisht për mesfushorin dhe vendosjen taktike të tij.

“Mund ta bëjë edhe fantazistin, por bën më mirë organizatorin”, u shpreh Inzagi për 20-vjeçarin që ka zbritur në fushë vetëm një minutë në derbin e 5 shkurtit, ndërkohë që për të gjetur ndeshjen e tij të fundit si titullar duhet të kthehemi në 8 tetor, në sfidën ndaj Sasuolos.

Në total 555 minuta për Asllanin në të gjitha kompeticionet, pak për një mesfushë ku një konkurrent i tij është drejt largimit dhe një ka qëndruar jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit.

Mundësia e munguar për një lojtar për të cilin janë paguar 14 milionë euro po shndërrohet në çështje jo vetëm për Kristjanin, por edhe për gjithë tifozët zikaltër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat