Çeku: Letra e FFS-së drejtuar UEFA-s shkel marrëveshjen e fundit me Kosovën

Futboll

Çeku: Letra e FFS-së drejtuar UEFA-s shkel marrëveshjen e fundit me Kosovën

Më: 11 prill 2023 Në ora: 10:59
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka thënë se Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut.

Sipas tij, letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.

“Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë”.

“Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës”.

“Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht”.

Sipas tij, Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojë aktivitete ilegale që shkelin rendin kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat evropiane e botërore të sportit.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat