Ancelotti: Sevilla një kundërshtar serioz

Futboll

Ancelotti: Sevilla një kundërshtar serioz

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 17:16
Ancelotti

Real Madrid është gati për të nisur “turin” e forcës, me madrilenët që do të luajnë tre transferta shumë të rëndësishme në harkun e një jave.

“Los Blancos”, fillimisht do të masin forcat me Sevilla-n në kampionat, më pas do të udhëtojnë drejt Portugalisë për sfidën e Champions-it ndaj Bragës, ndërsa më 28 Tetor do të luajnë “El Clasico-n” e parë sezonal ndaj Barcelonës.

Në prag të ndeshjes me Sevilla-n, trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti theksoi se skuadra është e plotë dhe pavarësisht kalendarit, madrilenët janë gati për të marrë maksimumin.

“Jam i lumtur fillimisht për lojtarët, pasi të gjithë janë kthyer në gjendje të mirë pas ndeshjeve me kombëtaret.

Të gjithë janë në dispozicion, përfshirë edhe Alaba, ndërsa vuajmë vetëm problemin e Ceballos që nuk do të jetë me skuadrën ndaj Sevilla-s.

Kalendari?

Kemi tre ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Të them që jam shumë i qetë nuk e them dot, por u siguroj se jemi gati për këtë periudhë.

Të shtunën do të luajmë ndaj Sevilla-s, një kundërshtar shumë i fortë që gjithmonë ka rezultuar problematik për ne. Ata kanë ndryshuar trajner, por janë një skuadër e kompletuar dhe na pret një një sfidë e luftuar. Për ndeshjet e tjera do të flas kur të jetë momenti, ka ende kohë si për Bragën ashtu edhe për Barcelonën” – tha fillimisht Ancelotti.

Më pas, italiani foli edhe për Sergio Ramos, ish-kapiteni i Real Madrid që tani është pjesë e Sevilla-s, me Ancelotti-n që foli me superlativa për spanjollin.

“A do ta kisha problem nëse ai shënon? Realisht më pëlqen ta shoh kur luan, mezi po pres ta takoj dhe ta përshëndes.

Kam një dashuri të veçantë për të. Nëse unë jam këtu sot është për shkak të Ramos-it sepse nëse ai nuk do të shënonte atë gol në finale, ndoshta nuk do të isha këtu (i referohet ndeshjes kundër Atletico Madrid në finalen e Champions League në sezonin 2013-2014).

Unë jam i sigurt se ai do të zhvillojë një ndeshje të shkëlqyer, nëse shënon do të bëjë atë që dëshiron, të festojë apo jo, por unë e di shumë mirë që ai është një profesionist i madh.” – tha italiani.

Ndërkohë, në fund Ancelotti u pyet edhe për të ardhmen, nëse ai do të largohet nga Real Madrid për të drejtuar Brazilin.

“Ka shumë thashetheme, por mendoj se gjithçka do të të sqarohet së shpejti.” – përfundoi trajneri.

Sevilla-Real Madrid do të luhet të shtunën duke nisur nga ora 18:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat