Manchester City - Liverpool, hapin javën

Futboll

Manchester City - Liverpool, hapin javën

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 11:36
Manchester City

Premier League rikthehet nga pushimi i kombëtares dhe së shpejti me një ndeshje të madhe. Manchester City dhe Liverpool përballen me njëri-tjetrin për të hapur raundin e 13-të të kompeticionit dhe, nëse modeli i fundit vazhdon, do të jetë një ndeshje me shumë histori për të treguar.

“Qytetarët” dhe “Reds” janë përballur më shumë se 200 herë gjatë historisë dhe avantazhi është i qartë: nga 224 ndeshje të luajtura, Liverpool ka fituar 108. Duke qenë se trajnerë janë Pep Guardiola dhe Jurgen Klopp, ka pasur 20 ndeshje mes tyre, ku gjermani me tetë fitore ka një avantazh të lehtë ndaj spanjolit, me shtatë. 

Skuadra vendase paraqitet si sulmi më i mirë në kampionat, me 32 gola të shënuar në 12 ndeshje. Nga ana tjetër, liverpulasit kanë mbrojtjen më pak të rrjedhur në kompeticion: si Arsenali, ata kanë pësuar vetëm dhjetë gola. Në terma individualë, Haaland dhe Salah janë dy armët më të mëdha sulmuese të ligës, me respektivisht 16 dhe 14 gola deri tani.

Ndeshja vlen për epërsinë, por, si në të gjitha këto rivalitete, ka shumë më tepër në lojë se tre pikët. Guardiola e konsideron Jurgen Klopp si “rivalin e tij më të madh”, ndërsa gjermani tashmë e ka quajtur trajnerin e Man.City si “më të mirin në botë”. 

Të ndarë me vetëm 50 kilometra, dy qytetet në veriperëndim të Anglisë, do të kenë një fundjavë emocionesh të forta, me duele mes rivalëve të vjetër: Man.City-Liverpool dhe Everton-Man.United. Megjithatë, konkurrenca midis zonave urbane ka shkuar përtej kufijve të fushës. Nga “revolucioni industrial” te ekonomia aktuale, duke përfshirë muzikën dhe artet, ka shumë më tepër që i ndan ata sesa ajo që i bashkon…

Formacioni i mundshëm i Manchester Cytit: Ederson; Walker, Rúben Dias, Akanji, Gvardiol;  Rodri, Bernardo Silva, Julián Alvaréz; Phil Foden, Doku, Haaland. Të dëmtuar: Kevin de Bruyne,  Matheus Nunes, John Stones, Sérgio Gómez.

Formacioni i mundshëm i Liverpool: Alisson; Alexander-Arnold, Van Dijk, Matip, Tsimikas;  MacAllister, Szoboszlai, Gravenberch; Luis Díaz, Salah, Darvin Núñez. Të dëmtuar: Andrew Robertson, Bajcetic, Curtis Jones, Thiago Alcântara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat