Gjatë shkrimit të tij kryesor për edicionin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello ka dashur të kujtojë trajnerin suedez Sven Goran Eriksson, i cili u nda nga jeta dje, në moshën 76-vjeçare. Me të ishte kundërshtar në fushën e blertë, në shumë derbe të kryeqytetit mes Romës dhe Lazios:
“Shpesh kemi qenë kundërshtarë, por kurrë armiq. Po, bëmë shumë beteja kundër njëri-tjetrit, veçanërisht në Romë, kur derbet e kryeqytetit vlenin titullin. Unë isha në stolin verdhekuq, ai në pankinën e Lazios. Megjithatë, kur mendoj për Sven Goran Eriksson, kurrë nuk shoh një rival para syve të mi. Në fakt, kujtimi im më i mirë me të nuk ka të bëjë fare me fushën.
Ishte verë, ndodhesha me gruan time për pushime në Portugali. Një ditë Sven më ftoi në shtëpinë e tij në Cascais.
Një vend i shkëlqyer, 200 metra larg oqeanit, me një pamje të jashtëzakonshme. Eriksson e kishte arreduar shtëpinë me mobilje prestigjioze, të gjitha italiane.
Ai ishte një njeri me klas, nuk ka dyshime për këtë. E kaluam gjithë pasditen duke folur për gjithçka tjetër, përveç futbollit. Diskutuam për familjen, detin, gjërat e jetës. Ishte një moment shumë i bukur, të cilin ende e kam për zemër edhe sot”.