Serie A, gara për Europën me fotofinish

Futboll

Serie A, gara për Europën me fotofinish

Më: 14 maj 2026 Në ora: 23:46
Foto ilustrim

Humbja e Lazios në Kupën e Italisë ka ndryshuar skenarin europian për klubet italiane.

Bardhekaltrit mbeten zyrtarisht jashtë kupave të Europës, ndërsa gara për Champions, Europa League dhe Conference League mbetet e hapur deri në dy javët e fundit të kampionatit.

E vetmja skuadër e sigurt është Interi.

Titulli kampion i garanton zikaltërve një vend direkt në Champions League. Italia do të ketë katër skuadra në elitën europiane, pasi ëndrra për një vend të pestë u shua për shkak të rezultateve zhgënjyese të klubeve italiane këtë sezon.

Për tre vendet e tjera luftojnë Napoli, Juventusi, Milani, Roma dhe Como, surpriza e sezonit.

Me renditjen aktuale, Napoli, Juventusi dhe Milani do të shkonin në Champions, por diferencat janë minimale dhe çdo ndeshje mund të ndryshojë gjithçka.

Në Europa League aktualisht do të kualifikoheshin Roma dhe Como. Skuadra e drejtuar nga Fabregas po vazhdon ëndrrën europiane dhe mund të ngjitet edhe më lart në klasifikim.

Ndërsa në Conference League, për momentin është Atalanta që mban vendin e fundit europian. Por Bologna ende nuk ka hequr dorë.

Nëse skuadra e Vincenzo Italiano fiton të gjitha ndeshjet dhe Atalanta gabon, gjithçka mund të vendoset në përballjen direkte mes tyre.

Bologna ka nevojë për një fitore të thellë ndaj bergamaskëve për të përmbysur avantazhin e Atalantës. Në Serine A mbetet një finale e vërtetë me llogari të hapura për Europën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat