Përzgjedhësi dhe trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka bërë publike listën prej 26 lojtarëve të ftuar për Kampionatin Botëror 2026.
Dy nga emrat që kanë mbetur jashtë dhe që kanë nxitur diskutime të shumta janë sulmuesi i Chelsea-t, Joao Pedro, dhe anësori i Real Betis, Antony.
Tekniku italian mori vendime të vështira, duke u lënë hapësirë emrave si Neymar e Matheus Cunha, ndërsa ka shpjeguar hapur arsyet se pse disa lojtarë të rëndësishëm mbetën jashtë.
Deklaratat e Carlo Ancelottit:
Përzgjedhësi i "Seleçaos" u shpreh i vetëdijshëm për vështirësinë e vendimit, duke thënë:
"Duhet të kesh parasysh shumë gjëra. Të luash futboll këtu është e ndërlikuar, me udhëtimet, nxehtësinë... Është vështirë ta krahasosh me Evropën. Na vjen shumë keq për Joao Pedron, sepse për sezonin që pati në Evropë, ai e meritoi të ishte në këtë listë. Por, fatkeqësisht, dhe me gjithë respektin, ne zgjodhëm një lojtar tjetër."
Nga ana tjetër, Ancelotti mbrojti me ngulm ftesën për Neymarin, duke u bazuar te pesha e tij për grupin:
"Ne e vlerësuam Neymarin gjatë gjithë vitit dhe pamë se në këtë periudhë të fundit ai luajti rregullisht, gjë që përmirësoi gjendjen e tij fizike... Përvoja e tij në këtë lloj gare dhe afeksioni që ka fituar brenda grupit mund të krijojnë një atmosferë më të mirë dhe të ndihmojnë skuadrën."
Në fund të konferencës, Ancelotti u kërkoi ndjesë atyre që u lënduan nga ky vendim:
"Disa nga lojtarët që ishin me ne këtë vit nuk do të jenë të lumtur me këtë listë. Më vjen keq dhe dua t'i falënderoj të gjithë ata që ishin me ne", përfundoi Ancelotti.
Krahasimi i statistikave
Shifrat e siguruara nga platformat e analizës si FlashScore tregojnë performancat e lojtarëve që mbetën jashtë në raport me ata që morën ftesën:
Joao Pedro (Chelsea - Jashtë liste): Ka kaluar një sezon mjaft efikas në Premier League duke shënuar 15 gola dhe 5 asistime, duke u shpallur edhe lojtari i sezonit te klubi i tij. Megjithatë, stafi teknik i Brazilit vlerësoi se kriteri i përvojës ndërkombëtare peshonte më shumë në këtë fazë.Antony (Real Betis - Jashtë liste): Gjatë këtij edicioni në La Liga ka regjistruar 8 gola dhe 6 asistime. Pavarësisht këtyre shifrave solide, luhatjet në periudha të caktuara të sezonit bënë që ai të humbiste balotazhin për krahun e sulmit.Neymar (Santos - I ftuar): Edhe pse vjen nga një cikël i gjatë lëndimesh që nga viti 2023 dhe së fundmi luan në kampionatin brazilian, statusi i tij si golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit (79 gola) dhe forma e tij në rritje në javët e fundit i siguruan ftesën.Matheus Cunha (Manchester United - I ftuar): Pavarësisht se ka pasur një sezon me ulje-ngritje sa i përket efikasitetit para portës, ai u mbajt në listë si pjesë e strukturës që e ka shoqëruar ekipin përgjatë gjithë fushatës kualifikuese.
Me këtë vendim, Carlo Ancelotti ka bërë të qartë se për Botërorin 2026 po i beson më shumë hierarkisë dhe emrave të sprovuar në skenën ndërkombëtare, sesa formës momentale në Evropë.