Milani shokon tifozët, mbetet jashtë Champions League

Futboll

Milani shokon tifozët, mbetet jashtë Champions League

Nga: K.G. Më: 24 maj 2026 Në ora: 22:51
Pamje nga ndeshja

Milan ka shokuar tifozët e vet duke mbetur jashtë Champions League.

Në një mbrëmje që pak kush e priste, skuadra kuqezi dështoi në “San Siro”, duke u mposhtur me rezultat 1:2 nga Cagliari.

As pesimisti më i madh nuk do ta kishte imagjinuar një fund të tillë për Milanin në një ndeshje kaq vendimtare.

Humbja para tifozëve vendas konsiderohet si një tjetër dëshmi e krizës së thellë të rezultateve që e ka kapluar klubin, duke lënë shumë pikëpyetje për të ardhmen.

Ndeshja nisi në mënyrë ideale për Milanin, pasi Alexis Saelemaekers realizoi që në minutën e dytë dhe krijoi përshtypjen se vendasit do ta kryenin detyrën pa telashe. Megjithatë, mysafirët reaguan shpejt dhe rikthyen ekuilibrin përmes Borrellit, i cili shënoi në minutën e 20-të.

Në pjesën e dytë erdhi goditja vendimtare për kuqezinjtë, kur Rodríguez realizoi në minutën e 57-të, duke vulosur një fitore të madhe për Cagliarin dhe një zhgënjim të madh për Milanin.

Në këtë sfidë, Ardon Jashari u paraqit për 62 minuta në fanellën e Milanit, por nuk arriti të ndikojë që skuadra e tij të shmangte humbjen.

Pas këtij rezultati, Cagliari renditet në pozitën e 14-të me 43 pikë, ndërsa Milani bie në vendin e pestë me 70 pikë, duke mbetur jashtë Champions League dhe duke mbyllur sezonin me shumë zhgënjim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat