Gatuzo mbërrin te Lacio

Futboll

Gatuzo mbërrin te Lacio

Më: 3 qershor 2026 Në ora: 18:01
Xhenaro Gatuzo - majtas

Xhenaro Gatuzo është paraqitur në ambientet e Lacios për të finalizuar marrëveshjen me klubin italian.

Trajneri pritet të firmosë kontratën gjatë orëve në vijim, ndërsa më pas do të zhvillohet edhe prezantimi zyrtar nga klubi i Serisë A.

Fotot e mbërritjes së Gatuzos janë shpërndarë tashmë në media dhe nuk lënë vend për dyshime mbi emërimin e tij në krye të skuadrës bardhekaltër.

Pas një sezoni zhgënjyes, ku Lacio mbeti jashtë kupave europiane, drejtuesit kanë vendosur të nisin një revolucion të vërtetë për të rikthyer ekipin në nivelet më të larta.

Për Gatuzon bëhet fjalë për një rikthim në futbollin italian, pasi eksperienca e tij e fundit në Serie A ishte në krye të Napolit në vitin 2021.

Më pas ai mori drejtimin e përfaqësueses së Italisë, por aventura nuk rezultoi e suksesshme.

Kombëtarja italiane dështoi të siguronte pjesëmarrjen në Botërorin 2026, duke sjellë një tjetër zhgënjim të madh për teknikun.

Tashmë Gatuzo do të ketë mundësinë të nisë një kapitull të ri te Lacio.

Në klubin kryeqytetas priten edhe investime të rëndësishme gjatë merkatos së verës.

Ndërkohë, drejtuesit do të duhet të menaxhojnë edhe marrëdhëniet e tensionuara me tifozët, të cilët prej kohësh kanë bojkotuar shkallët e stadiumit në shenjë proteste ndaj situatës në klub.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat