Barbarez pas ndeshjes me Kanadanë: Pika është e mirë, por tani duhet të kërkojmë fitore

Futboll

Barbarez pas ndeshjes me Kanadanë: Pika është e mirë, por tani duhet të kërkojmë fitore

Nga: K.G. Më: 12 qershor 2026 Në ora: 23:31
Pamje nga ndeshja

Përzgjedhësi i Bosnjës dhe Hercegovinës, Sergej Barbarez, vlerësoi se barazimi ndaj Kanadasë është rezultat real, por theksoi se tani duhet të synojnë fitoret për të siguruar kualifikimin tutje.

Bosnja dhe Hercegovina ishte në epërsi deri në minutën e 78-të, por Kanadaja arriti të barazojë rezultatin 1:1. Pas ndeshjes, Barbarez pranoi se mbetet keqardhje për golin e pësuar në fund, megjithatë theksoi se rezultati pasqyron zhvillimet në fushë.

“Gjithmonë mbetet keqardhje kur udhëheq deri dhjetë minuta para fundit dhe nuk fiton, por duhet të jemi realistë. Edhe ne patëm fat në disa momente dhe rezultati 1:1 është real. Për ne kjo është një pikë e mirë për vazhdimin e garës”, tha Barbarez.

Ai shtoi se pas ndeshjes së parë nuk mund të bëhen ende kalkulime përfundimtare, por se pika ndaj Kanadasë mund të ketë peshë të madhe nëse konfirmohet me rezultate pozitive në sfidat e ardhshme.

“Kjo sigurisht na hap dyert për të kaluar më tej.

Pas ndeshjes së parë nuk është koha për llogari, por duhet të mundohemi t’i fitojmë ndeshjet e ardhshme dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.

Barbarez veçoi edhe paraqitjen e sulmuesit Jovo Llukiq, autor i golit të parë të Bosnjës dhe Hercegovinës në Kampionatin Botëror.

Sulmuesi e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë besimin e trajnerit.

“Secili lojtar ka detyrën e vet. Të gjithë 27 futbollistët që janë këtu kanë rolin e tyre dhe për këtë arsye janë pjesë e ekipit. Është gjithmonë mirë kur dikush ta kthen besimin në fushë, por të gjithë japin maksimumin.

Për Jovën goli është shumë i rëndësishëm, sepse ai është sulmues dhe jeton nga golat”, deklaroi Barbarez.

Bosnja dhe Hercegovina ndeshjen e ardhshme e zhvillon të enjten nga ora 21:00, kur përballet me Zvicrën.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat