Dinamo ka njoftuar se Ardi Kabashi do të jetë pjesë e skuadrës këtë sezon, në pozicionin e videoanalistit. Përmes komunikimit në rrjetet sociale, dinamovitët kanë prezantuar Kabashin, duke e përshkruar si “ekspert” në profilin e tij.
Ardi Kabashi është i pajisur me licensën e trajnerit nga UEFA A, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e klubit të Ballkanit në Superligën e Kosovës, aty ku qëndroi për 6 vite. Te Ballkani, Kabashi ka punuar gjithashtu me trajnerin Ilir Daja me bashkëpunimin që pritet të vazhdojë këtë herë në Superiore me Dinamon.
Duke marrë në konsideratë eksperiencën dhe mënyrën se si ai ka mundur të punojë me “strategun” Daja, për “blutë” e kryeqytetit ky afrim mund të cilësohet padyshim një goditje në stafin teknik.
NJOFTIMI:
Ardi Kabashi i bashkohet Dinamos
Klubi i Futbollit Dinamo mirëpret në stafin teknik Ardi Kabashin, i cili do të mbajë rolin e videoanalistit të skuadrës së parë.
Kabashi është trajner i licencuar me UEFA A dhe vjen te Blutë pas një eksperience të rëndësishme 6-vjeçare te Ballkani, ku ka qenë pjesë e stafit teknik dhe ka kontribuar në analizën dhe përgatitjen e skuadrës.
Për tre sezone ai ka punuar përkrah trajnerit Ilir Daja, bashkëpunim që tashmë do të vijojë edhe te Dinamo.
Eksperienca e tij në analizën tekniko-taktike dhe njohja me filozofinë e punës së trajnerit Daja do të jenë një vlerë e shtuar për stafin teknik të Bluve.
Mirë se vjen në familjen dinamovite, Ardi!