Skendo Rexha: Jemi dëmtuar

Futboll

Skendo Rexha: Jemi dëmtuar

Nga: K.Goca Më: 10 tetor 2026 Në ora: 12:19
Skendo Rexha

Te Otrant-Olimpiku nga Ulqini, lideri i Ligës së Parë të futbollit të Malit të Zi, Meridianbet, janë prononcuar sërish lidhur me gjykimin, duke shprehur pakënaqësinë e tyre me arbitrimin pas barazimit 2:2 kundër Mlladost Lob.bet.

Skuadra që ndodhet në vendin e parë të tabelës këtë sezon është prononcuar publikisht edhe më parë lidhur me gjykimin, duke vënë në dukje ato që i konsideron gabime të arbitrave.

Pas ndeshjes së fundit, pakënaqësitë e tyre janë rikthyer sërish në vëmendje.

“Presidenti i klubit, Skendo Rexha, ka paralajmëruar se do të paraqesë një ankesë zyrtare pranë organizatës së arbitrave. Ai ka theksuar se situatat e diskutueshme po përsëriten nga ndeshja në ndeshje dhe se ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet përfundimtare”, ka shkruar mediumi malazez “Vijesti”.

“Do t’i drejtohemi me ankesë organizatës së arbitrave, por kjo po përsëritet tashmë në disa ndeshje dhe konsideroj se këto situata duhet t’i shqyrtojnë seriozisht.

Është e qartë se jemi dëmtuar në disa ndeshje dhe vendimet e arbitrave ndikojnë drejtpërdrejt në rezultat.

Kjo mund të shihet qartë edhe në ndeshjen e fundit, për të cilën kemi edhe dëshmi filmike se nuk na janë akorduar dy penallti, të cilat, sipas mendimit tonë, gjyqtari Çupiç nuk i ka parë”, ka deklaruar Rexha.

Presidenti i klubit nga Ulqini ka theksuar se futbolli duhet të jetë në plan të parë dhe jo vendimet e arbitrave. Ai shtoi se reagimet e tifozëve janë një arsye shtesë pse klubi duhet t’i bëjë publike problemet.

“Konsideroj se futbolli luhet për publikun dhe jo që gjyqtari të jetë personazhi kryesor i ndeshjes.

Në plan të parë duhet të jenë lojtarët. Ne kemi tifozët më të mirë, ndërsa nga unë, si president i klubit, kërkohet të prononcohem lidhur me parregullsitë, të cilat kohët e fundit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta”, ka theksuar Rexha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat