​Gjilani refuzoi 250 mijë euro për një futbollist, Sylejmani zbulon emrin dhe arsyen e refuzimit

Futboll

​Gjilani refuzoi 250 mijë euro për një futbollist, Sylejmani zbulon emrin dhe arsyen e refuzimit

Më: 21 tetor 2026 Në ora: 10:26
Drilon Sylejmani

Menaxheri i SC Gjilanit, Drilon Sylejmani, ka zbuluar se klubi ka pasur një ofertë nga Irani, në vlerë prej mbi 250 mijë eurosh, për sulmuesin Senad Jarovic, por ka vendosur ta refuzojë atë, duke i dhënë përparësi objektivave sportive.

Duke folur në emisionin SportCast të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, Sylejmani ka treguar se, pavarësisht interesimit dhe ofertës së rëndësishme financiare, drejtuesit e klubit vlerësuan se kontributi i sulmuesit ishte më i rëndësishëm sesa shuma që mund të përfitonin nga shitja e tij.

Sylejmani: Kishim ofertë prej 250 mijë eurosh për Jarovic

“Po, kemi pasur në vazhdimësi interesim dhe oferta për futbollistët. Njëra ndër më të vështirat ka qenë për Senad Jarovic që me të vërtetë ka qenë e vështirë me i thënë jo dhe ta mbajmw lojtarin brenda ekipit, mirëpo për shkak të objektivit të cilin ne kemi qenë gjatë rrugës duke e ndjekur, klubit nuk i ka interesuar oferta financiare, mirëpo e ka shqyrtuar aspektin sportiv. Arritja e objektivit për Gjilanin ka qenë fokusi dhe synimi primar, jo vetëm i aksionarëve, i pronarëve të klubit, por i gjithëve. Senad Jarovic së fundmi kishte ofertë nga Irani, që e kalonte shifrën e 250 mijë eurove, mirëpo klubi vendosi që t'i mbyllte sytë, ta mbante Jarovicin në gjashtëmujorin e fundit të kontratës edhe pse ishim të bindur që në afatin kalimtar të verës del si futbollist i lirë. Mirëpo për neve ishte primar kontributi i tij në ekip se shuma të cilën mund ta inkasonim”, ka deklaruar Sylejmani.

Sylejmani ka folur edhe për politikën e klubit në raport me ofertat për futbollistët, duke theksuar se vendimet merren pas analizimit të situatës dhe duke vlerësuar se çfarë është më e mira për SC Gjilanin. Ai ka bërë të ditur se pronarët janë të gatshëm të investojnë mjete shtesë për ta ndihmuar klubin të arrijë objektivat sportive, edhe në rastet kur kjo nënkupton heqjen dorë nga përfitimet e mundshme financiare prej shitjes së lojtarëve.

Sylejmani: Pronarët janë të fokusuar te aspekti sportiv

“Normalisht për çdo lojtar që ka interes, ose ka oferta, bordi i klubit mblidhet edhe e analizon situatën, edhe e sheh pjesën më të leverdisshme, se cila është më e mira për klubin. Unë thashë fatmirësisht që edhe pronarët janë të fokusuar për të arritur sukses në aspektin sportiv, për këtë arsye ata po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme financiare sepse po investojnë edhe mjetet e veta, vetëm ta shohin Gjilanin duke arritur një objektiv madhor. Dhe për këtë arsye shpeshherë edhe i mbyllin sytë. Edhe janë të vetëdijshëm që jemi në deficit buxhetor sa i përket aspektit të hyrave dhe aspektit qtë lojtarëve që ne i shesim, mirëpo ata e kanë zgjedhur aspektin sportiv për të fituar diçka më të madhe se sa shitja e një futbollisti, siç ka qenë në këtë rast Jarovic. Mirëpo jo gjithmonë kjo do të thotë që ne do ta ndjekim këtë politikë të klubit, sepse lojtarët te ne janë të hapur të bisedojnë për çdo ofertë të cilën ata e kanë jashtë vendit. Mirëpo në atë pikë, në atë periudhë, ne e kemi parë më të arsyeshme që kontributi i Jaros është më i madh se shifra të cilën ne kishim mundësi ta marrim”, bëri të ditur Sylejmani.

SC Gjilani e ka nisur në mënyrë pozitive edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll, duke u renditur në vendin e tretë me 17 pikë të grumbulluara pas 10 ndeshjeve të zhvilluara. Forma e mirë e skuadrës në këtë fillim të sezonit lidhet edhe me synimet e klubit për të arritur objektivat sportive, për të cilat, siç ka bërë të ditur menaxheri Drilon Sylejmani në SportCast, drejtuesit janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe përfitimet e mundshme financiare nga shitja e futbollistëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat