Portieri Manuel Neuer ka regjistruar paraqitjen e tij të 164-t në Ligën e Kampionëve, në ndeshjen kundër Atletico Madridit, duke lënë pas Lionel Messin dhe Thomas Mullerin, të cilët kanë mbetur në kuotën e 163 paraqitjeve.
Për portierin 40-vjeçar të Bayern Munihut, në renditjen historike tashmë janë vetëm Cristiano Ronaldo, me 183 paraqitje, dhe Iker Casillas, me 177.
Me këtë arritje, Neuer është bërë gjithashtu futbollisti gjerman me më së shumti paraqitje në historinë e Ligës së Kampionëve.
Paraqitjet e para në këtë garë i regjistroi me fanellën e Schalke 04, me të cilën arriti deri në gjysmëfinale në vitin 2011. Po atë vit, ai u transferua te Bayern Munihu, ku vazhdon të luajë edhe sot.
Me gjigantin bavarez, Neuer ka fituar dy herë trofeun e Ligës së Kampionëve, në vitet 2013 dhe 2020.
I mungojnë edhe 13 ndeshje për ta barazuar Casillasin
Pas Neuerit në renditjen historike kanë mbetur edhe shumë emra të mëdhenj të futbollit evropian, përfshirë Karim Benzeman, Toni Kroosin dhe Xavin.
Për ta barazuar numrin e paraqitjeve të Iker Casillasit, Neuerit i nevojiten edhe 13 ndeshje.
Ndërkohë, rekordi i përgjithshëm vazhdon të mbahet nga Cristiano Ronaldo, me 183 paraqitje në Ligën e Kampionëve.