Gheorghe Hagi do të vazhdojë të jetë përzgjedhës i Rumanisë, pavarësisht rezultateve të dobëta gjatë sezonit të vjeshtës.
Rumania pësoi të martën në Zenicë humbjen 2:1 ndaj Bosnjë-Hercegovinës, duke regjistruar disfatën e pestë në gjashtë ndeshje të Ligës së Kombeve.
Për më tepër, rumunët e përfunduan grupin 4 të Ligës B në vendin e fundit. Megjithatë, në Federatën Rumune të Futbollit nuk po mendojnë për ndryshimin e trajnerit.
Sipas mediumit rumun “Fanatik”, presidenti i federatës, Razvan Burleanu, nuk ka ndërmend ta shkarkojë Hagit.
“Mbështetja për projektin e Gheorghe Hagit është e plotë”, raporton “Fanatik”, duke iu referuar burimeve brenda federatës.
Ndërprerja e bashkëpunimit konsiderohet pak e mundshme, pasi largimi do të duhej të vinte nga vetë Hagi, i cili ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje.
Kontratë deri në vitin 2030
Hagi mori drejtimin e Rumanisë më 20 prill, pasi kombëtarja rumune nuk arriti të kualifikohej në Kampionatin Botëror 2026, që u zhvillua në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ai nënshkroi kontratë katërvjeçare, deri në vitin 2030.
Sipas mediave rumune, paga e tij mujore është 25 mijë euro, përkatësisht 300 mijë euro në vit.
Nën drejtimin e tij, Rumania përjetoi një nga periudhat më të vështira, ndërsa pas humbjes në Zenicë do të duhet të luajë në plejof për të siguruar mbijetesën në Ligën B.
Shorti i plejofit do të hidhet më 20 nëntor në Nyon, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen më 25 dhe 30 mars.
Rumania do të jetë nikoqire në ndeshjen e parë.
Pas humbjes ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Hagi deklaroi se skuadra e tij meritonte më shumë.
“Fatkeqësisht, humbëm, por mendoj se meritonim më shumë”, u shpreh legjenda rumune.
Ai shtoi se skuadra duhet të luajë me intensitet për të gjitha 90 minutat, ashtu siç bëri në pjesën e parë, si dhe të mësojë të paraqitet më mirë në ndeshjet jashtë fushe.
Sa i përket plejofit, Hagi ishte i prerë:
“Duhet të fitojmë, kjo është e detyrueshme”.